15:38 / E Premte, 01 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

PDK: Në Klinë votuan edhe të vdekurit

Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Klinë,  ka shpreh falënderuar e të gjithë qytetarët e Klinës që në ditën e zgjedhjeve për balotazh, më 19 nëntor 2017, shprehën vullnetin e tyre dhe manifestuan kulturë demokratike, dinjitet dhe mirëkuptim.

Dega e Partisë Demokratike në Klinë falënderon edhe të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e saj për besimin e dhënë, si dhe të gjithë komisionarët dhe vëzhguesit e PDK-së, që gjatë tërë procesit zgjedhor ishin në krye të detyrës, të përgjegjshëm për rolin e tyre në këtë proces demokratik.

PDK në Klinë ka dorëzuar në PZAP disa dëshmi sipas të cilëve kanë votuar të vdekurit, votimi dy herë më shumë i një personi etj.

“Gjatë procesit zgjedhor në raundin e dytë të zhvilluar në Komunën e Klinës, komisionarët dhe vëzhguesit e PDK-së kanë hasur në shumë keqpërdorime të procesit, që kanëçuar në deformimin e tij. Këto keqpërdorime, të cilat dëmtojnë rëndë procesin demokratik të zgjedhjeve dhe tjetërsojnë vullnetin e lirë dhe të pavarur të qytetarëve me të drejtë vote, ne i kemi evidentuar dhe përmes një ankese i kemi adresuar edhe në PZAP. Qëllimi i ankesës sonë nuk është që ta ndryshojmë vullnetin e qytetarëve dhe as dëshira për të marrë pushtet, por vetëm e vetëm që vullneti i qytetarëve të Komunës së Klinës të mos tjetërsohet, të mos manipulohet dhe të mos abuzohet me të. Mos shqyrtimi dhe vendimi jo i drejtë ndaj këtyre keqpërdorimeve, do të krijonte një praktikë të dëmshme për proceset e ardhshme zgjedhore dhe do të ulte vullnetin e qytetarëve për të marrë pjesë në votimet e ardhshme, pa përjashtuar edhe ndikimin në besimin e qytetarit në institucionet tona vendore. Janë hasur dhe evidentuar me fakte, dëshmi dhe deklarata, keqpërdorime të natyrave të ndryshme, si votimi dhe nënshkrimi nën emrin e personave të vdekur, votimi dy herë e më shumë i një personi, votimi në emër të personave që jetojnë jashtë Kosovës dhe në ditën e votimit s’kanë qenë fare ne Kosovë, etj. Për të gjitha këto keqpërdorime, ne kemi dëshmi të pakontestueshme dhe ato ua kemi dorëzuar edhe organeve përkatëse” thuhet në reagimin e PDK-së.

Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Klinë, beson shumë në vlerësimin e drejtë të PZAP dhe në vendimin e tyre që Klina të shkojë edhe njëherë në rivotim për të qartësuar vullnetin e qytetarëve të Klinës.