10:46 / E Premte, 25 Shtator 2020 / indeksADMonline

PDK-ja s’e përkrah Projektligjin e rimëkëmbjes ekonomike të Qeverisë, ka një kërkesë tjetër

Sot pritet të votohet në Kuvend Projektligji i propozuar nga Qeveria për rimëkëmbjen ekonomike, ndërkohë që PDK-ja ka kërkuar që në vend të këtij projektligjit, të votohet propozimi i saj.

Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se propozimi i Qeverisë nuk është gjithëpërfshirës dhe nuk ndihmon të gjitha kategoritë.

 “Nëse është fjala vetëm për mjetet e Trustit, mund të ndryshojmë një nen të Ligjit për fondet pensionale dhe të mos quhet Ligj për rimëkëmbje”, ka thënë ai.

“Siç jeni të informuar sot në seancë janë dy projektligje që kanë të bëjnë me adresimin e nevojave të Kosovës. Është iniciativa e PDK-së dhe ajo e Qeverisë. Ne propozojmë që të ulemi bashkërisht dhe ta bëjmë një ligj të mirëfilltë, të mirë dhe të qëndrueshëm. Ligji që e ka propozuar Qeveria nuk ka substancë. Nëse janë në pyetje vetëm mjetet e Trustit mund ta ndryshojmë vetëm një nen të Ligjit për fondet pensionale. Unë them që është mirë që Qeveria të votojë propozimin tonë. Është më gjithëpërfshirës. Dyja janë në votim. Në këtë seancë të dyja janë në votim, por ne po themi nëse është veç Trusti të mos bëhet Ligj për rimëkëmbje, por të vjen ai për fondin pensional”, ka deklaruar Hamza.