14:30 / E Hënë, 30 Mars 2020 / indeksADMonline

PDK: VV po instalon frikën dhe po përgatitet për dhunë në Kosovë – të dënohet nga të gjithë

Partia Demokratike e Kosovës, ka dënuar thirrjet e zyrtarëve të lartë të Vetëvendosjes këto ditë siç thotë ajo “për dhunë dhe vëllavrasje”. PDK përmes një komunikate për medie konsideron se kjo gjuhë e dhunshme është e dënueshme sepse po nxit një konflikt të rrezikshëm shoqëror, transmeton IndeksOnline.

“Këto deklarata të organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje brenda dhe jashtë Kosovës, e kanë për qëllim nxitjen e një zinxhiri të dhunës që del jashtë institucioneve shtetërore për të mbajtur pushtetin me çdo kusht. Ato filluan me Albin Kurtin në Kuvendin e Kosovës, i cili gjatë seancës paralajmëroi trazira, për t’u përshkallëzur me deklarata kërcënuese të Agim Bahtirit, Bojken Abazit, Artan Abrashit e përfaqësuesve të tjerë të LVV-së të cilët kanë folur për dhunë, anarki e vëllavrasje”, thuhet në komunikatë.

Tutje PDK dënon rëndë gjuhën e urrejtjes dhe krijimin e klimës së frikës nga zyrtarë të lartë të Vetëvendosjes, të ndihmuar dhe orkestruar edhe nga analistë të papërgjegjshëm në Shqipëri e Kosovë.

” Partia Demokratike e Kosovës nuk do të lejojë askënd që të kërcënojë sigurinë publike, të mbjelli përçarje, të nxisi konflikt civil e të shkeli rendin kushtetues. Pasojat e këtyre veprimeve janë të paparashikueshme dhe përgjegjësia totale për çfarëdo që ndodh ka për të qenë e gjitha e Lëvizjes Vetëvendosje”përfundon komunikata . /IndeksOnline