17:40 / E Martë, 03 Mars 2020 / indeksADMonline

Peja i reagon ashpër Rahovecit: Mos bëni propaganda, rikthimi ynë është bukuria e basketbollit

KB Peja ka reaguar ndaj disa mediumeve të afërta me klubin e Basketbollit, Rahoveci.

Fituesit e Kupës së Kosovës, përmes një postimi në Facebook kanë thënë se nuk ka nevojë që të bëhen këto propaganda në drejtim tyre.

Ky është postimi i tyre:

Ndihemi të privilegjuar që ekipet tjera të Kosovës dhe Ballkanit e kanë të nevojshme të mendojnë dhe publikojnë propaganda të pista kundër klubit, tifozëve, presidentit dhe njerëzve të klubit dhe qytetit.

Pas disa postimeve nga portalet lokale të Rahovecit ne kemi vendosur ta postojmë një reagim i cili do jetë i pari dhe i fundit sa i përket rivalitetit tonë.

Nëse keni nevojë për klikime, më e arsyeshme është të postoni lajme pozitive dhe reale në portalet tuaja, ndoshta do fitoni ndonjë publikim në faqet tona dhe do keni rekord klikimesh brenda ditës. Ne posedojmë informacionin se kush qëndron prapa portaleve tuaja të pista, ne kemi informacion mbi statistikat e portaleve tuaja dhe shumica e postimeve të cilat kanë të bëjnë me KB Pejen kanë rekord klikimesh.

Rikthimi i KB Pejës është bukuria e sezonit 2019/2020 dhe ju nuk mund ta njollosni këtë bukuri, ne do luftojmë me djersë dhe motiv deri në fund të sezonit për të dërguar në shtëpi të gjithë titujt e mundshëm.