07:15 / E Premte, 07 Dhjetor 2018

Për herë të parë në Kosovë ngjarje e modës për persona me nevoja të veçanta

Në vigjilje të Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC, Elvana Shala, sot organizon për herë të parë në Kosovë ngjarjen e modës për persona me nevoja të veçanta “E bukura fillon me ne”.

Ky event organizohet në bashkëpunim me shumë dizajnerët më eminent vendor si: Drenusha Xharra, Diana Qerimi, Etnik Shala, Enkelejda Shatri, Lia Stublla, Labinot Gashi, Mia Matin, Shema Sahiti, Valdrin Sahiti dhe Valon Pestisha, kreacionet e të cilëve do të prezantohen ekskluzivisht vetëm nga këta persona, ka për qëllim krijimin e  mundësisë së shfaqjes së talentit të këtyre personave në këtë fushë.

Mbi të gjitha, fokus kryesor ka ngritjen e vetëdijesimit të shoqërisë se edhe këta persona që kanë aftësi ndryshe duhet dhe mund  të jenë te integruar edhe në fushën e modës, dhe krijimin e një pozite të barabartë të kësaj kategorie në shoqërinë tonë.

Ideja kryesore e kësaj ngjarjeje është përçimi i një mesazhi ndryshe nga radhët e tjera për respektimin e të drejtave të njeriut, me fokus të veçantë respektimin dhe integrimin e barabartë të personave me nevoja të veçanta në shoqërinë tonë.

Në këtë ngjarje para publikut do të paraqiten 35 modelë dhe modele me nevoja të veçanta nga të gjitha kategoritë dhe komunitetet.