21:48 / E Hënë, 25 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Për Krishtlindje falet gjaku, pajtohen dy familje

Në Ditën e Krishtlindjes janë pajtuar familjet e Zef Matajt nga Famullia e Dobilares me Ibrahim Krasniqin nga Juniku.

Në Kishën e Shën Mihillit, gjegjësisht në Qendrën Rinore ‘Dom Gjergj Berisha’ në Doblibarë u bë pajtimi mes familjes së Zef Mataj me familjen e Ibrahim Krasniqi nga Juniku, pas humbjes tragjike të Patrik Mataj, i cili vdiq aksidentalisht më 26.07.2017 në Qerim (Gjakovë).

“Jemi vëllezër si në të mirë, e ashtu në të vështirë. Këtë harmoni ndër fetare gjithmonë e ka dëshmuar populli ynë shqiptar, qysh prej kohës të Heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot-Skënderbeu, e deri në ditët tona, siç e dëshmuan sot në ditën e pajtimit edhe familjet e respektuara, pra familja Mataj dhe familja Krasniqi”, tha famullitari, Don Alberti.

“Falënderoj të gjithë kontribuesit që kanë punuar e ndihmuar famullitarin në këtë pajtim, por më lejoni t’i veçoi disa individ siç janë deputeti  Anton Quni,  Lekë Lekaj e sidomos meshtarët Don Roberti e Don Pashku”, theksoi ai.

Pajtimi i dy familjeve të lartëpërmendura u bë në praninë e Kryetarit të Komunës së Gjakovë, Ardian Gjini, me bashkëpunëtorët e vet, Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Anton Quni, Komandanti i Stacionit Policisë në Gjakovë, Kristë Gjokaj, Kryetari i Junikut, Agron Kuqi, Imami i Junikut, Imer Krasniqi, Sylë Tahirsyla, profesor të nderuar dhe shumë besimtarë të tjerë nga Famullia e Doblibares.