23:14 / E Martë, 01 Maj 2018 / indeksADMonline

Për një vit e pak muaj 159 aborte në QKUK, nuk ka të dhëna për klinika private

Për një vit e tre muaj në klinikën në Obstetrike Gjinekologjike janë kryer 159 aborte.

Pavarësisht që raportet flasin për shifra ende me të mëdha, në institucionin publik realizohet një numër i vogël i tyre.

Vetëm në vitin e kaluar në këtë klinikë janë kryer 111 aborte, kurse në vitin 2018 deri me datën 13 prill janë kryer 48 të tilla.

Këto statistika i ka bërë të ditur për Indeksonline, Shefi i ambulantes së pranimit dhe planifikimit familjar, Jakup Ismajli.

Ai ka treguar se mosha e pacientëve që kryejnë aborte dominon 20 vjet deri në 35 vjet.

“Në vitin 2017 në KOGJ janë kryer 111 aborte, kurse në 2018 deri me 13.04.2018 janë e kryer 48 aborte. Sa i përket moshës së pacientëve që kryejnë aborte dominon mosha nga 20 vjet deri me 35, por ka raste të rralla që kryhen edhe nën 20 vjet dhe mbi 35 vjet.

Aborti në KOG është 40 euro me anestezion lokal, kurse për ato që dëshirojnë të kryejnë abort me anestezion të shkurtër intravenoz është 50 euro”, ka thënë Ismajli.

Ai ka shtuar se para së pacientët t’i nënshtrohet ndërhyrjes për heqje të fëmijës, konsultohet me çiftin.

Ismajli madje thotë se ka raste kur pacientja edhe heq dorë nga ndërprerja e shtatzënisë.

“Paraprakisht konsultohemi me qiftin bashkëshortor mbi anët negative të abortit si dhe komplikimet e hershme dhe të vonshme të abortit, çrregullimet psikike dhe somatike, si dhe informohemi për shkaqet që e shtyjnë në ndërprerje të shtatzënisë. Ka shumë raste që pas insistimit tonë pacientja të heq dorë nga ndërprerja e shtatzënisë. Për ato që kanë vendosur për ndërprerje të shtatzënisë aborti kryhet sipas ligjeve në fuqi deri në javën e 10 të shtatzënisë”, ka shtuar ai.

Mirëpo, ven dimi për ta ndërprerë shtatzëninë në shoqërinë kosovare shihet si intervenim i turpshëm, prandaj edhe femrat hezitojnë të shkojnë në institucion publik, por zgjedhin ato private.

Sipas një studimi që e ka kryer UNEFPA, konfidencialiteti nuk sigurohet në klinika publike, prandaj edhe ato zgjedhin klinika priva të palicencuara për të kryer aborte dhe pa kushte adekuate.

“Gjasat që pacientët të njihen me njëri tjetrin janë shumë të mëdha sepse të gjitha qytetet e Kosovës janë relativisht të vogla. Si rezultat, femrat e pamartuara preferojnë të kenë abort në klinika private ose edhe më e preferueshme është ta bëjnë atë në qytet tjetër ose jashtë Kosovës”, thuhet në këtë raport.

Ndonëse flitet që ka një numër të madh abortesh ilegale, Inspektorati i Ministrisë së Shëndetësisë që monitoron klinikat private nuk ka të dhëna për numrin e tyre a kushtet që ofrojnë këto klinika për aborte.

Kryeinspektorja e Inspektoratit, Ardita Baraku në një përgjigje për Indeksonline ka thënë se aborti mund të kryhet vetëm kur ka kushte teknike dhe sipas procedurave që i rregullon Ligji për Shëndetin Riprodhues.

Mirëpo, ajo ka shtuar se nuk mund të kenë statistika për veprimtari ilegale.

“Nuk ka Institucione Private Shëndetësore (IPSH) të llojit jashtë spitalor që është i licencuar nga MSh për të kryer aborte. Kurse në IPSH të llojit spitalor (spitale sekondare dhe terciare) aborti mund të kryhet kur ka kushte teknike dhe profesionale dhe sipas procedurave që i rregullon Ligji për Shëndetin Riprodhues. Ligji për Shëndetësi e përcakton se institucioni shëndetësor fillon punën pas marrjes së licencës valide. Në rastet kur kjo nuk është respektuar, Inspektorati merr masa sipas akteve juridike në fuqi, që nënkupton ndalim veprimtarie, mbyllje institucioni, ndalim, dënim dhe referim në organet e tjera. Gjate inspektimit, kontrollohen edhe regjistrat e pacienteve – në këtë rast edhe për aborte. Nuk mund të kemi statistika për veprimtari ilegale”, ka thënë Baraku.

Thuhet se çmimet për të kryer abort në klinikat private janë të shtrenjta, mirëpo saktë nuk dihet për shkak se inspektorati nuk ka të dhëna për këtë veprimtari ilegale.

“Çdo institucion është i obliguar ta ketë listën e shërbimeve me çmimore, dhe të vendosur në vend të dukshëm për pacientë. Është e kuptueshme qe nëse dikush ofron shërbim ilegal, çmimi nuk vendoset, dhe për Inspektoratin është vështirë ta dijë çmimin. Nëse qytetarët kanë përvoja të tilla, mirë është t’i denoncojnë”, ka shtuar ajo.

Ajo ka shtuar se inpektimet nëpër klinika bëhen sipas ankesës së qytetarit, si pjesë e obligimeve ditore dhe planit të punës.

Për sociologun Feridi Kamberin çështja e abortit është ndër çështjet me komplekse në familje.

“Çështja e abortit është një ndër çështjet komplekse në familje, për shkak se në njërën anë shihet si proces i cili ndalon zhvillimin e familjes dhe në anën tjetër në disa raste mund të shihet edhe si proces i lejueshëm atëherë kur ekspertët mjekësor konstatojnë se jeta e nënës është apo mund të jetë në rrezik dhe nuk ka ndonjë rrugëdalje tjetër. Në kontekstin social familja ka një peshë goxha të madhe dhe ajo konsiderohet si bërthamë e shoqërisë pa të cilën shoqëria nuk do të mund të mbijetonte”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se aborti që kryhet jashtë rasteve të rrezikut të nënës ose fëmijës, mund të paraqes rrezik jo vetëm për familjen, por edhe rënie të natalitetit.

“Ndërsa, abortet të cilat kryhen jashtë rasteve të rrezikut të nënës ose fëmijës, atëherë ato mund të paraqesin rrezik për zhvillimin e familjes, pastaj edhe për rënien e natalitetit, duke marrë parasysh faktin se të dhënat nga ASK tregojnë se Kosova ka një stagnim në të natalitet së fundi, duke pasur një rënie 2.5 fëmijë, gjë që konsiderohet si tepër e ulët në raport me të kaluarën” , ka shtuar ai.

Për faktorët që dërgojnë deri të aborti janë të ndryshëm.

“Lidhur me këtë ka një mori faktorësh pse gratë abortojnë disa nga to mund t’i cekëm: disa gra abortojnë herët për shkak të rekomandimeve nga mjekët se një e tillë mund t’ju shkaktojë komplikime shëndetësore madje edhe vdekje, disa të tjera ndihen të papërgatitura emocionalisht dhe psikologjikisht për tu bërë prindër (për të marr përgjegjësi të reja), në disa raste aborti ndodhë edhe si rezultat i përdhunimit, incestit, shtatzënisë së hershme, etj. Mirëpo, aborti ndodhë edhe si rezultat i faktorëve socio – ekonomik dhe mos planifikimit adekuatë të familjes në modernitet. Papunësia e lartë e cila gjeneron varfërinë dhe mirëqenie e ulët sociale, padyshim se janë ndër faktorët ndoshta kryesor të cilët i shtyjnë gratë që të abortojnë”, ka përfunduar Kamberi.

Sipas një raporti të UNFPA-së në vitin 2009 Kosova ka pasur një shkallë abortesh prej 480 aborte për 1000 lindje të gjalla që është shifër më e madhe se shumica e vendeve në rajon.

Edhe në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës thuhet se “8% të femrave të moshës 15-49 vjeçare kanë pasur së paku një abort të qëllimshëm dhe pothuajse një e pesta (17%) e atyre të moshës 45-49 vjeçare. Në mesin e femrave që kanë pasur aborte, 71% e tyre kanë pasur një abort derisa 25% kanë pasur dy apo tri aborte, dhe 4% kanë pasur katër e më shumë aborte”.

Në vitin 2009, Kuvendi i Kosovës ka nxjerrë një ligj të ri që rregullon ndërprerjen e shtatzënisë i cili i jep të drejtë gruas të vendosë për abort deri në fund të javës së dhjetë (10) të shtatzënisë, duke llogaritur nga dita e parë e ciklit të fundit menstrual. Aborti pas këtij afati kohor është i ndaluar dhe realizohet vetëm në raste ku nëna ose fëmija kanë probleme shëndetësore./Indeksonline/