14:43 / E Diele, 07 Janar 2018 / indeksADMonline

Analistet politik: Përçarjet dhe largimet e frenojnë rritjen e Vetëvendosjes

Paknaqësitë brenda Lëvizjes Vetëvendosje duket të jenë të thella.

Dorëheqjet e njëpasnjëshme dalin të jenë si rezultat i përplasjeve të shumta.

Njohës të çështjeve politike në vend thonë se padyshim këto zhvillime frenojnë rritjen e këtij subjekti politik.

Nexhmedin Spahiu, konsideron se largimi nga LVV i disa anëtarëve sigurisht që e dëmton këtë subjekt politik.

“Kjo rrjedhojë është normale, pasi që Albini e la lëshu postin e kryetarit dhe ka deshtë me lujt një lojë demokratike, nga subjekti që vetë e ka krijuar e në këtë mënyrë strukturave iu kanë zgju edhe ambiciet. Kjo natyrisht që e frenon rritjen e saj për shkak që njerëzit e kuptojnë që ajo nuk është parti aq demokratike siç duket apo pretendon. Megjithatë, është parti e liderit, përkatësisht themeluesit të saj. Kështu që kjo pak a shumë ia ndalë rriten asaj, por mendojë se nuk do të dëmtohet shumë, edhe nëse zvogëlohet si subjekt politik”, ka thënë Spahiu në një bisedë për Indeksonline.

Nga ana tjetër, analisti- Bajrush Morina thotë se ‘sindromi’ i përçarjeve më në fund e përfshiu edhe LVV-në.

Sipas tij, gjithë ky ‘infektim’ ka ardh për shkak se në këtë parti vërshuan emra e personalitete që me bindje e veprime e me biografi politike kanë qenë larg VV-së.

“Sindromi i përçarjeve më në fund e përfshiu edhe Vetëvendosjen. Kështu edhe “zemra” e VV-së u nda përgjysmë. Unë mendoj se ky ‘infektim’ në Vetëvendosje ka ardh për shkak se në këtë parti politike vërshuan emra e personalitete që me bindje me veprime e me biografi politike kanë qenë larg VV-së. Një prej tyre është Dukagjin Gorani. Një ish-këshilltar disa vjeçar i Thaçit që asgjë nuk e lidh me VV-në pos interesi karrierist. Pra, Dukagjin Gorani, Shpend Ahmeti, Dardan Sejdiu etj kanë veshur uniformën e Vetëvendosjes jo se kanë qenë apo janë me VV-në por se ata mbetën ‘lakuriq’ rrugëve dhe trokitën në VV për interesa personale. Prandaj, për mua plasaritjet e VV-së janë të vonuara. Diçka e tillë ka qenë e pritshme dhe është dashur të ndodh shumë herët”.

Ndryshe, kujtojmë se deri më tani nga Lëvizja Vetëvendosje janë larguar: Visar Ymeri, Aida Dërguti, Dardan Sejdiu, Shqipe Pantina dhe Zgjim Hyseni, Ylli Hoxha dhe Adonis Tahiri. /Indeksonline/