08:05 / E Shtunë, 11 Maj 2019 / indeksADMonline

Përdorimi i teknologjisë në parashikimin e përmbytjeve

Lumenjtë janë burim i ujitjes, ujit të pijshëm, turizmit … dhe përmbytjeve. Shiu, stuhitë dhe shkrirja e borës shkaktojnë daljen e lumenjve nga shtrati i tyre, duke shkaktuar përmbytje, shkatërrim shtëpish dhe viktima. Shkencëtarët thonë se kërcënimi nga përmbytjet do të rritet me ndryshimet klimatike.

Këtu në Shtetet e Bashkuara, shkencëtarët po përgatiten për këtë të ardhme me teknologji të ndryshme, duke përfshirë dronët, superkompjuterët dhe pajisje nënujore, për të menaxhuar përmbytjet dhe për të provuar parandalimin e tyre, raporton Zëri i Amerikës.

Kur ujërat e përmbytjeve rrjedhin mbi bregun e lumit dhe nëpër tokë, është shumë e vështirë të kontrollohet.

Por, Shërbimi Kombëtar i Motit monitoron nivelet e lumenjve, duke mbledhur të dhëna, pasi uji kalon nëpër 8,200 monitorë përgjatë 8 milionë kilometrave të lumenjve dhe rrugëve ujore të vendit.

Meteorologët në Qendrën Kombëtare të Ujit përdorin këtë informacion për të parashikuar rrezikun nga vërshimet.

“Këtë vit ne parashikojmë një kërcënim në rritje për përmbytjet e mëdha, të moderuara dhe të vogla, në dy të tretat e vendit. Mbi 200 milionë njerëz janë nën një rrezik të lartë kërcënimi”, thotë Ed Clark nga Qendra Kombëtare e Ujit në Taskalusa të Alabamës.

Deri kohët e fundit, shumica e teknologjive për trajtimin e të gjitha këtyre të dhënave nuk ekzistonte.

Më ndihmën e superkompjuterëve në Virxhinia dhe Florida, rreth tre vjet më parë u themelua dhe u lidh me internetin Modeli Kombëtar i Ujit. Ky sistem simulon dhe parashikon se si kalon uji nëpër lumenjtë dhe përrenjtë e vendit.

“Modelet tona simulojnë saktësisht se çfarë ndodh kur shiu bie në Tokë dhe nëse ai shkakton vërshime apo thithet nga toka. Kështu që tani ne mund të masim, monitorojmë dhe dimë nivelin e borës ose lagështinë e tokës nën shtresat e borës. Dhe ajo që ne aplikojmë janë kushtet e motit të ardhshëm”, thotë Ed Clark nga Qendra Kombëtare e Ujit në Taskalusa të Alabamës.

Duke përdorur një model tjetër parashikimi, të zhvilluar në Universitetin e Misisipit, menaxherët e emergjencave dhe zyrtarët e sigurisë së digave mund të shohin simulimet e pasojave të shkaktuara nga përmbytjet që mund të ndikojnë digat.

Ndërkohë që teknologjia e re mund të mos jetë në gjendje të parandalojë përmbytjet, duke parashikuar vendndodhjen dhe shtrirjen e përmbytjeve, ajo mund të ndihmojë komunitetet pranë lumenjve të përgatiten më mirë për më të keqen. /Indeksonline/