16:46 / E Diele, 14 Janar 2018 / indeksADMonline

Përfshihet nga zjarri lisi në Kampusin Unversitar

Një lis që gjendet në hapësirën e kampusit universitar, saktësisht mes Bibliotekës Kombëtare dhe Fakultetit të Arteve, është përfshirë nga zjarri.

Me t’u informuar për rastin, në vendin e ngjarjes kanë dalë Zjarrfikësit dhe Policia.

Ndonëse zjarrfikësit kanë ndërhyrë me ujë për ta fikur zjarrin që kishte përfshirë trungun e lisit tymi vazhdon të dalë edhe më tej.

Besnik Gashi, nga Zjarrfikësit e Prishtinës, tha për kallxo.com se porsa janë informuar për rastin janë nisur drejt vendit të ngjarjes.

“Për momentin është ndalur mirëpo ende ka tym. Është problematike. Veç duhet të pritet ai lis. Ndryshe s’ka, sepse (zjarri) ka shkuar në brendësi (të trungut)”, tha Gashi.

“Për momentin është ndalur por mund të ndizet përsëri”, shtoi ai.

Gashi tregoi se zjarrfikësit nuk do ta presin atë pa marrë lejen e nevojshme nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës, pasi që druri, gjendet në kampusin universitar.

Temat: