22:20 / E Enjte, 15 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Përfshihet nga zjarri një restorant, kryetari i Ferizajt del në vendin e ngjarjes

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu ishte i pranishëm në njërin prej restoranteve që u përfshi sonte nga zjarri në fshatin Dardani të Ferizajt.

Për të parë nga afër dhe solidarizuar me familjen Sallahu që zotëron këtë biznes, doli kryetari Aliu bashkë me drejtorin e Shërbimeve Publike dhe Emergjencave, Arben Halili.

Intervenimin e tyre të menjëhershëm e bëri edhe njësia e zjarrfikësve në Ferizaj, Policia e Kosovës dhe njësia s KFOR-it amerikan – LMT. Dëmet materiale ndonëse në fazë të hershme vlerësimi janë të mëdha, për fatin e mirë pa dëme në njerëz. Zjarri është lokalizuar në tërësi dhe po menaxhohet vazhdimisht nga ekipet profesionale të emergjencave.

I pari i Ferizajt, Agim Aliu ritheksoi edhe njëherë nevojën që të investohet në kapacitete të shtuara të mekanizmave intervenues për raste të tilla që dëmet si materiale edhe njerëzore të reduktohen në shkallë më të lartë në tē ardhmen dhe që dora e shtetit t’i gjendet pranë bizneseve në raste të tilla fatkeqësish.

Poashtu, kryetari Agim Aliu tha se Komuna e Ferizajt do t’i gjendet pranë me të gjitha kapacitetet e saja këtij biznesi në tejkalimin e kësaj situate.