22:20 / E Shtunë, 16 Tetor 2021 / OSH

Përfundon edicioni i 8-të i “Mirëdita, dobar dan!” – Me rrëfimet çnjerëzore brenda objekteve kulturore të ish-Jugosllavisë

Dita e fundit për edicionin e tetë të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, filloi më ndryshe, kjo sepse organizatorët e këtij festivali para se të fillonin aktivitetet e parapra për sot u bënë thirrje poltikanëve që të reagojnë, pas kërcënimeve që gazetari Pero Jovovic, kishte marrë pas raportimit të bërë në Prishtinë. Organizatorët theksuan se kërcënimi i gazetarëve është i papranueshëm dhe si i tillë edhe duhet të dënohet.“Persekutimi dhe kërcënimi i gazetarëve është i papranueshëm dhe një kujdes i veçantë duhet t’i jepet gazetarëve dhe aktivistëve që avokojnë për paqen dhe që raportojnë mbi gjendjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, përfshirë rastet e diskriminimit pasi këto pasqyrojnë vlerat më të rëndësishme. Prandaj, të gjithë ne duhet të mbrojmë dhe të kujdesemi për mbrojtësit e vlerave të tilla”, u theksua nga organizatorët.

Kurse, gazetari Jovovic, i cili ishte prezent edhe në ditën e tretë të “Mirëdita, dobar dan!”, pohoi se ai nuk do të jetë, e s’do të mbetet gazetari i parë që etiketohet në këtë mënyrë nga, siç i quan ai, “forcat e djathta serbe”.
“Këto ditë jam cak i tabloideve dhe forcave të djathta nga Serbia që nuk mendojnë se është në rregull pse unë kam përdorur lokacionin Prishtinë dhe kam vendosur flamurin e Kosovës. Por, s’jam gazetari i parë e as i fundit që etiketohet në këtë mënyë. Është me rëndësi që të flitet për këto gjëra. Kurse, njerëzit sikur unë dhe ju që jemi mbledhur në këtë festival, të jemi një simbol i një të ardhme më të mirë”, pohoi gazetari serb.

Objekte kulture apo hapësira torture – Ndryshim mes kohës dhe situatës

Galeria e Fakultetit të Arteve në Prishtinë u bë hapësira prej ku për më shumë se dy orë, u diskutua, e rrëfye se si objektet kulturore përgjatë viteve, luftërave e betejave mes vendeve u shndërruan në objekte torture.

Pikërisht libri “Vrasja e kulturës” me autorësi të tre personave të ndryshëm Viktor Ivančić, Nemanja Stjepanovic dhe Hrvoje Polan, të cilët përmes mënyrës së tyre, eseve, shkrimeve, por dhe fotografive, sjellin tragjiken, fatin që përcolli me vite vendet e rajonit, si Kosovën, Bosnje Hercegovinën dhe Serbinë.

Për të treguar rreth idesë qendrore të këtij libri, por dhe peripecive të kaluara gjatë krijimit dhe botimit të tij, foli Vjera Ruljic nga forumi ZFD.

“Ajo çka është e rëndësishme në ballafaqimin me të kaluarën është dokumentimi dhe kjo është mënyra se si ka lindur ky libër.  Prandaj, besoj se të gjitha tragjeditë që ndodhën në ish-Jugosllavi, përfshirë edhe Kosovën në vitet në 90-ta, ishte momenti kur na erdhi ideja e krijimit të këtij libri “Vrasja e kulturës’”, pohoi ajo.

Ruljic shtoi se janë pikërisht shtëpitë dhe objektet e kulturës në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë, hapësirat ku njerëzit torturoheshin e vriteshin, si dhe theksoi se autorët e këtij libri janë munduar që të mos shfaqin pikëpamje politike apo ideologjike në libër, por vetëm të shpalosin atë se çka ndodhi në objektet që dikur frymonte arti në to.

 “Shtëpitë e kulturës, si në Bosnje, Kroaci, pastaj në Kosovë, lufta ishte më e shkurtë, ata nuk kishin kohë që t’i fusnin njerëzit në këto qendra, por edhe në Kosovë kanë vepruar në mënyrë të tmerrshme. Ashtu siç mund ta shihni në libër, por dhe në ekspozitë në shtëpinë e Kulturës në Qollopek, ka dëshmi se në atë vend janë kryer krime jonjerëzore”, shtoi ajo.

Krejt në fund, ajo ka shtuar se ideja për titullin “Vrasja e kulturës” ka lindur pikërisht për faktin se në shtëpitë e kulturës kanë ndodhur si gjëra të mira ashtu edhe të kqija.

“Në mënyrë simbolike është vendosur ky titull, sepse nga këtu kanë ndodhur gjërat e këqija dhe të mira, që nga koha e ahengjeve deri tek koha e krimeve”, përfundoi ajo.

A mund të vritet kultura?

“Mirëdita, dobar dan!”, në qendër të ditës së sotme pati kulturën. Kulturën si libër që mund të lexohet, kulturën si debat, si dhe kulturën si fotografi që i qëndron stoikisht kohës. Galeria e Fakultetit të Arteve në Prishtinë, ishte vendi ideal për të diskutuar debatin “Kultura si mjet politik”.

Antropologia dhe profesoresha e Universitetit të Prishtinës, Nita Luci, në pyetjen se a mund të mbytet kultura tha se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë.

“Si antropologe mund të them se nuk mund të shkatërrohet kultura, njeriu vet është qenie kulturore. Mirëpo, në momentin kur ne paraqesim pyetjen se a mund të shkatërrohet kultura, menjëherë tregon që kemi të bëjmë me një pozitë që diçka vlen të trajtohet si kulturë, e diçka jo”, pohoi ajo.

Kurse avokati serb, Milan Antonijević, theksoi se ndonëse ka pasur tentativa të vrasjes së kulturës, një gjë e tillë nuk mund të ndodhë. Sipas tij kultura nuk mund të tjetërsohet, por vetëm të instrumentalizohet.

“Forca e kulturës është se ajo nuk mund të vritet, mirëpo siç ka shembuj edhe në libër ndër vite ajo është instrumentalizuar, shembur e transformuar. Se kultura nuk mund të vritet dëshmohet edhe sot nga kjo sallë e mbushur plot me njerëz e gazetarë”, pohoi avokati.

Ndërkaq, Maja Stojanović, tha se kulturë nuk janë vetëm objektet, por çdo gjë që na rrethon, përfshirë njerëzit, mënyra se si flasin apo veprojnë. Stojanović nuk la pa përmendur kohën kur Vulin, si Ministër për Punë dhe Çështje Sociale kishte hartuar një tekst prej rreth 10 faqeve, ku kishte listuar serbët e rrezikuar në Kosovë dhe situatën politike mes dy vendeve.

Sipas saj mënyra e vetme për të luftuar këtë formë degradimi kulture dhe arsimi është që kjo e fundit të mos përdoret për të luftuar kulturën.

“Ajo çka ministri Vulin ka kërkuar në atë kohë është që çdo 17 mars të lexohet ajo letër nga nxënësit e shkollave serbe. Ky veprim është mohim i së drejtës së dikujt tjetër që të ketë historinë dhe kulturën e tij. Të mos lejojmë që përmes shkollimit të luftohet e vërteta dhe kultura”, tha Stojanović.

Për dramaturgun Jeton Neziraj, roli i kulturës dhe aktiviteteve kulturore që kanë ndodhur në Kosovë dhe Serbi viteve të fundit, duhet parë edhe në aspektin politik, krahas atij kulturor.

“Para se të flasim për vrasjen e kulturës duhet të flasim për dy aspekte tjera që lidhen me vrasjen e kulturës. E para është intrumentalizimi i kulturës dhe përdorimi i kulturës për qëllime ideologjike, propagandistike që kanë qenë sistematike këto 20-30 vitet e fundit. Dhe aspekti i dytë është redukimi i kulturës”, tha ai.

Gjithashtu, avokati serb, Milan Antonijević, nuk la pa përmendur faktin se fati i objekteve kulturore, ka goditur edhe objektet fetare. Dhe sipas tij e vetmja mënyrë për t’i shpëtuar këto është që përmes lëvizjeve kulturore këto objekte të shndërrohen në muze.

Torturat në objektet e ish-Jugosllavisë – 24 fotografitë e ekspozitës “Vrasja e Kulturës”

Projekti i fundit i fotoreporterit të ndjerë serb, Hrvoje Polan, fotomonografia “Vrasja e Kulturës”, pas udhëtimit në vende të ndryshme të Ballkanit, destinacion pati Kosovën, si synim për të luftuar heshtjen dhe për të sjell tek publiku të kaluarën që është harruar dhe viktimat që tashmë duken se nuk kanë ekzistuar kurrë.

Korab Krasniqi nga forumi ZFD tha se kjo ekspozitë është përpekje për të dokumentuar objektet që në luftërat në ish-jugosllavi janë përdorur për tortura.

“Ekspozita e cila është hapur sot është një përpjekje për me i dokumentu vendet apo objektet kulturore, me i marrë kalatë, kullat dhe të gjitha objektet tjera dhe të gjitha objektet tjera që kanë funksion kulturor, të cilat dikur janë shfrytëzuar si objekte të torturës masive gjatë luftërave në ish-Jugosllavi”, theksoi ai.

Shumica e objekteve kulturore të fotografuara për këtë ekspozitë gjenden kryesisht në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë.

Fotografitë u përfshinë edhe në librin “Vrasja e Kulturës” në të cilën Hrvoje Polan është bashkautor me Viktor Ivançić dhe Nemanja Stjepançović.

Përmbyllja e festivalit “Mirëdita, dobar dan!” 

Sikurse çdo vit tjetër edhe në këtë edicion u nda çmimi “Mirëdita, dobar dan!”, i cili këtë herë iu dha Nora Ahmetit për kontributin e saj në dokumentimin e krimeve kundër njerëzimit, fuqizimin e grupeve të margjinalizuara, si dhe thellimin e bashkëpunimit mes vendeve që kanë kaluar kriza.

Ahmeti pas marrjes së çmimit tha se e vetmja mënyrë për të shprehur falënderimin pas marrjes së këtij çmimi është që të vazhdojë të punojë njëlloj sikurse ka bërë deri më sot.

Krejt në fund të këtij festivali u shfaq filmi “Ngarkesa” që tregon historinë e një shoferi kamioni, i cili transporton një ngarkesë misterioze nga jugu i vendit për në Beograd, gjatë bombardimeve të NATO-së në Serbi.