19:34 / E Martë, 15 Janar 2019 / indeksADMonline

Përfundon intervistimi i Remit nga Specialja, lihet i lirë

Ka përfunduar tanimë intervistimi i ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Zonën e Llapit, Rrustem Mustafa- Remi nga Prokurorët e Dhomave të Specializuara, në Hagë të Holandës.

Pas intervistimit, Remi u ka thënë gazetarëve se ai ishte i ftuar në cilësinë e dëshmitarit të dyshuar, raporton Indeksonline.

“Ka qenë intervistë e gjatë, kemi qenë shumë serioz gjatë përgjigjeve dhe sapo përfundova. UÇK më ka mbrojtur mua, e unë nuk kam pasur nevojë ta mbroj atë”, ka thënë shkurt Remi.

Derisa dje intervista e tij zgjati rreth shtatë orë, sot ajo ishte edhe më e gjatë, mbi nëntë orë u përgjigj në pyetjen e prokurorëve.

Avokati i Remit, Arianit Koci e ka shoqëruar gjatë gjithë kohës klientin e tij në intervistim porse nuk është deklaruar fare për media.

Ekipi i Indeksonline po qëndron në Hagë për të përcjell intervistimin e ish pjesëtarëve të UÇK-së nga Specialja.

Remi të dielën nga Aeroporti i Prishtinës ka deklaruar se ndjehet i pafajshëm dhe se po i përgjigjet ftesës së Gjykatës Speciale për pretendimet e bëra nga Dick Marty.

Nesër në Hagë do të nis intervistimi i ish komandantit tjetër të UÇK-së nga Zona e Drenicës, Sami Lushtaku./Indeksonline/