16:04 / E Shtunë, 24 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Përfundon seanca ndaj të dyshuarve për vrasjen e Ivanoviqit, kërkohet paraburgim

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka përfunduar seanca dëgjimore ndaj tre serbëve të arrestuar dje në veri të Mitrovicës, të cilët dyshohen në lidhje me vrasjen e liderit të Iniciativës Qytetare serbe ‘Liri, demokraci, drejtësi’, Oliver Ivanoviq.

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha ka thënë se masën e paraburgimit e ka kërkuar duke u bazuar në prova të forta se të pandehurit kanë kryer veprat penale.

“Unë kam dhënë kërkesë për masën e paraburgimit, këtë masë e kam kërkuar duke pasur parasysh se kam prova për marrjen e proceduarve penale ndaj të dyshuarve”, tha ai.

Prokurori Hoxha shtoi se pas parashtrimit të kërkesës, është në dorë te gjykatës se kur ajo e merr vendimin.

Në lidhje me provat e tyre, ai theksoi se nuk mund të deklarohet rreth tyre, sepse e pengon procesin.

Ndërsa, për arsyen e vonesave tha se kjo ka ndodhur për shkak të papërgjegjësive të avokatëve.