14:53 / E Mërkurë, 09 Maj 2018 / indeksADMonline

Përkujtohet Beteja e Llapushnikut

Më rastin e shënimit të 20 vjetorit të Betejës së Llapushnikut, nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj u mbajt tubimi përkujtimor.

Tubimi Përkujtimor u mbajt në fshatin Llapushnik, ku në fjalimin e tij, Kryetari Lladrovci theksoi se “Sot, në Ditën e përkujtimit të Betejës së Llapushnikut, shprehim respekt të thellë dhe përkulemi për të gjithë heronjtë, dëshmorët dhe martirët e kombit, të cilët kontribouan për çlirimin e vendit. Kujtojmë me respekt, të gjithë pjesëmarrësit e kësaj qëndrese në Llapushnik, fshatrave përreth si dhe çlirimtarët nga krejt Kosova, në veçanti nga komuna jonë, që u bënë simbol i qëndresës duke e dhënë mesazhin se kjo tokë ka zot”.

Kryetari Lladrovci ka shtuar se “ky vend historie, bart edhe kujtimet më të ndritura që nderuan kombin, për heronjtë e heroinat si Fehmi e Xhevë Lladrovci, Bekim Berisha, Imer Alushani dhe dhjetëra heronjve tjerë, të cilët me vullnet dhe përkushtim, rikonfirmuan se çlirimi nuk vije pa sakrificë. Lavdi heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit!”

Të pranishmëve me një fjalë rasti i është drejtur edhe Zv/Kryeministri, Fatmir Limaj.

Ndërsa në emër të Shoqatave të Dala nga Lufta e UÇK-së, të pranishmëve iu drejtua Enver Hajdari dhe në emër të familjarëve një fjalë rasti ka mbajtur Mehdi Thaqi dhe Dorentina Halilaj.

Tubimi Përkujtimor u përmbyll me një program kulturo-artistik.