Përkujtohet heroi Ilaz Kodra, këto janë fjalët e Ramush Haradinajt
Është mbajtur akademi përkujtimore në 19 vjetorin e rënies së heroit Ilaz Kodra, 40 dëshmorëve dhe 275 martirëve, ku u çmua dhe u vlerësua lart kontributi i tyre në luftën e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se komandanti Ilaz Kodra është shembull tipik i luftëtarit shqiptar.
Derisa vlerësoi lart figurën e tij, duke thënë se Ilaz Kodra ishte ndër luftëtarët më të zot që pat kombi. “Tek ai gjen heshtjen, trimërinë dhe qëndrimin krenar, një qëndrim që e bënë të qëndrueshëm. Ilaz Kodra si komandat do të mbahet mend si një njeri që qëndroi dhe ra drejt. Ishte prej luftëtarëve më të zotë që pat kombi. Jam thellë i bindur që krejt shqiptaria krenohet me veprën e heroit Ilaz Kodra. Krenohemi me gjithë ata breza luftëtarësh që dhanë jetën për lirinë”, tha ai.
Ndërsa kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, tha se në shënimin e 19 vjetorit të rënies së heroit Ilaz Kodra, përkujtohet vepra dhe sakrifica e tij dhe gjithë luftëtarëve të lirisë, që dhanë jetën për çlirimin dhe përparimin e kombit shqiptar.
Ai tha se komandanti Ilaz Kodra ishte ndër ushtarët e parë që në krye me komandantin legjendar Adem Jashari, dhe bashkëluftëtarët e tij, nisën aksionet e armatosura duke goditur caqet serbe. Në emër të familjes, para të pranishmëve foli vajza e heroit Sumeja Kodra, e cila kujtoi të atin duke thënë se ndjehet krenare që babai i saj ishte dhe mbetet një ndër figurat mëmadhore të UÇK-së.
“E them me krenari që babi im ishte një ndër të parët dhe figurat më madhore të UCK-së. Ai u bë shembull se si luftohet për atdhe”, u shpreh ajo.
Ajo nuk harroi të përmend edhe bashkëluftëtarët të të atit, duke shtuar se në një ditë si kjo kujtohen të gjithë trimat e trimëreshat që sakrifikuan jetën e tyre për lirinë e Kosovës.
Me këtë rast kryetari i veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ndau një dekoratë për familjen e heroit Ilaz Kodra, si shenjë nderimi dhe respekti për komandantin dhe heroin e Kosovës./Indeksonline/