11:13 / E Enjte, 07 Qershor 2018 / indeksADMonline

Përmes lobuesve, Thaçi kërkon takim me Trumpin

Kompania lobuese amerikane Ballard Partners i është afruar presidentit Donald Trump, me qëllim që të caktojë një takim mes tij dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Brian Ballard, njëri nga lobuesit më të afërt me Trump, ka lobuar personalisht në emër të Kosovës, në muajin prill.

Ballard ka folur shkurt me Trump për marrëdhëniet me Kosovën, ku ka përmendur kërkesën që Ambasada e Kosovës në SHBA ka bërë që Trump të takohet me presidentin Thaçi.

Kështu shkruan “Politico”, duke përmendur si burim një dokument të Departamentit të Drejtësisë amerikane.

“Kjo ishte një pjesë e shkurtër e bisedës, mirëpo rregullat për të treguar, na detyrojnë që të raportojmë edhe këtë bisedë”, u shpreh Ballard, i cili ka arritur të krijojë emër si një nga lobuesit më të mirë, dhe i cili ka edhe marrëdhënie personale me Trumpin.

Përveç Kosovës, Ballard ka pasur klientë edhe shtetet si: Turqinë, Katarin, Azerbajxhanin, Republikën Dominikane.

Lobuesit që përfaqësojnë qeveritë e huaja apo partitë politike janë të detyruar me ligj që të tregojnë haptazi se për kë po lobojnë, për dallim nga lobuesit që përfaqësojnë interesat kombëtare.