19:12 / E Shtunë, 29 Maj 2021 / OSH

Përplasen Haxhiu e Tahiri në Facebook për pronën e Vicianumit: Problemet tuaja zgjidhni vet

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se kompania të cilës ia kanë shkëputur kontratën për shkak se, sipas saj, ishte e lidhur me shkelje të rënda ligjore, pavarësisht vendimit të Ministrisë, ka rifilluar punimet në pronën “Vicianium” në Vushtrri.

Haxhiu ka shkruar se kryetari i Komunës, Xhafer Tahiri, nuk duhet të lejojë keqpërdorimin e pronës publike.

“Vendimi i Ministrisë është mbi çfarëdo vendimi që ka marrë Komuna për t’ju përshtatur interesave të atyre që janë përgjegjës për këtë dëmtim të pronës. Prona duhet të mbrohet.

Ne jemi njoftuar që kompania ka paditur Ministrinë prandaj deri në një vendim të Gjykatës, kompania nuk guxon të rifillojë punimet. I bëjmë thirrje kryetarit të Komunës ta mbrojë pronën publike dhe po ashtu policisë që ta zbatojë vendimin e Ministrisë”.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i kryetarit Tahiri duke thënë se Haxhiu kishte refuzuar t’ia kthej pronën e ish Motel Vicianum Komunës së Vushtrrisë.

Ai kërkoi që të mos i bëj presion public por t’i zgjedh problemet juridike të Ministrisë që, sipas tij,  vet i ka krijuar.

“Zonja Ministre,

Ju vet keni refuzuar të ja ktheni pronën e ish Motel Vicianum Komunës së Vushtrrisë, njësoj si në mandatin tuaj të parë. Prandaj ktheja pronën Komunës së Vushtrrisë që të bëjmë Stacionin e Autobusve.

Tani, mos kërko nga unë, e as mos ushtro presion publik e përmes telefonit, për të zgjedhur problemet juridike të Ministrisë që vet i keni krijuar, problemet tuaja zgjidhni vet!

Xhafer Tahiri”, shkroi ai./IndeksOnline/