12:36 / E Diele, 16 Shtator 2018 / indeksADMonline

Përplasjet në LDK, Veliu: Dorën n’zemër nuk më pëlqen ky lloj komunikimi!

Përplasjet mes anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë nisur të bëhen të zakonshme.

Komunikim jo shumë të zakonshëm, ditë më parë kishte mes Lutfi Hazirit, Vjosa Osmanit, Armend Zemaj e disa bashkëpartiakëve tjerë të Isa Mustafës.

Kryetari i Komunës së Podujevës dhe njëherit nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu thotë se përplasjet e tilla nuk janë serioze, dhe se çdo individ është i lirë të shprehë qëndrimet personale.

“Jo nuk janë përplasje ato, ato janë mendime të lira, të njerëzve që i shprehin për probleme të caktuara dhe ata e kanë lirinë e shprehjes, nuk mund t’i quajmë  ato përplasje. Nuk mendojë se kjo përplasje mund të rritet. Ne zakonisht kur i diskutojmë çështjet në struktura të LDK-së nuk lidhemi për emra, por vetëm për çështje, për problematika.”, ka thënë Veliu në një bisedë për Indeksonline.

Veliu e pranon se përplasjet e tilla nuk i lënë përshtypje të mira, porse në këtë formë respektohet mendimi i secilit.

“Dora në zemër komunikimi i asaj forme nuk më pëlqen as mua, por që e thonë ata mendimin e vet në një formë të caktuar ajo tashmë është e njohur, njerëzit e shprehin jo vetëm me fjalë por edhe me mund kur është çështja. Nuk kanë ndonjë lloj presioni çfarëdo qoftë, secili e thotë mendimin e vet. Mirëpo kjo vetëm nëse fillon me u përsëritë me u tepru, atërerë nuk është e mirë, mirë deri më tani nuk po shoh që është serioze.”, ka theksuar tutje ai.

Sipas tij, presidenti i vendit- Hashim Thaçi nuk është se ka përkrahje nga bashkëpartiakët e tij, përjashtim atëherë kur bëhet fjalë për çështje të rëndësishme për vendin.

Ndryshe, ditë më parë nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, e kishte sulmuar deputeten Vjosa Osmani nga po e njëjta parti pasi që kjo e fundit bashkë me dy deputetë të LDK’së, Armend Zemaj dhe Haxhi Avdyli, kishin vizituar Kullën e Isa Boletinit në veri të vendit./Indeksonline/