15:32 / E Shtunë, 15 Janar 2022 / A. M.

Përse Quinti kërkon lejimin e mbajtjes së Referendumit të Serbisë në Kosovë, sipas praktikës së deritashme?

Qëndrimi i Qeverisë Kurti dhe i partive opozitare është i drejtë.

Me lejimin e deritashëm të organizimeve të Serbisë në Kosovë, Kosova nuk ka përfituar thuajse asgjë si shkëmbim. Përkundrazi, ka pasur trimërim të Serbisë.

Është koha që edhe Kosova t’ia kujtojë vetvetes se është e pavarur. Duke e harruar shpesh ne vetë këtë fakt, pse të mos e harrojë edhe SHBA-ja, Gjermania, Britania, Franca dhe Italia?!

Në anën tjetër, po ashtu, është i drejtë propozimi i Qeverisë për t’i lejuar serbët kosovarë të votojnë me postë ose në Qendrën Koordinuese. Kështu nuk iu mohohet ushtrimi i të drejtës dhe vullnetit të tyre.

Thënë këto, Kosova njësoj duhet ta dijë se partnerë më të rëndësishëm se SHBA-ja, Gjermania, Britania, Franca dhe Italia as nuk ka as nuk mund të ketë.Nëse ndonjëri nga këto shtete e kërkon ndihmën e Kosovës dhe shqiptarëve për të mirën e shteteve të tyre, duhet përgjigjur ditën e natën pa u menduar dy herë.

E kur kërkojnë diçka për të mirën e Serbisë – ato thjesht po bëjnë diplomaci. Nëse ecën – mirë, nëse jo – vazhdohet tutje!Kosova e ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt 2008, kur SHBA-ja, Gjermania, Britania, Franca dhe Italia ishin pajtuar se kjo është gjëja e duhur për t’u bërë.

Për SHBA-në, Gjermaninë, Britaninë, Francën dhe Italinë Kosova dhe Serbia janë dy shtete të ndara. Ambasadat e këtyre shteteve janë në Prishtinë për Kosovën dhe në Beograd për Serbinë.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga Kuvendi i saj e ka vlerësuar si legal dhe legjitim.

Këto shtete të Quintit e kanë përshëndetur edhe vendimin e GJND-së.Përse atëherë Quinti kërkon lejimin e mbajtjes së Referendumit të Serbisë në Kosovë, sipas praktikës së deritashme? Thjesht, se këtë e ka kërkuar Serbia dhe shtetet e Quintit duan t’i respektojnë të dyja shtetet me të cilat kanë marrëdhënie diplomatike.

Nëse situata të ngjashme janë lejuar të shihen në Kosovë deri tash, Quinti nuk e sheh shumë problematike që e njëjta të përsëritet.

Adriatik Kelmendi