10:25 / E Enjte, 17 Janar 2019 / indeksADMonline

Personalizimi i institucioneve

Shkruan: Xhavit HALITI

Zhvillimet e fundit politike në Republikën e Kosovës dhe në  Republikën e Shqipërisë kanë nxjerrë në pah një dukuri tepër të ngjashme: Në të dy shtetet ka një “përplasje” me karakter thellësisht  politik mes presidentëve dhe kryeministrave aktualë. Janë katër figura  politike konkrete, që kanë mes tyre njohje miqësore të hershme, që janë pozicionuar në pozicione të ndryshme dhe e kanë filluar “një luftë verbale”. Aktorët e kësaj shfaqjeje, me efekte negative e shqetësuese për opinionin mbarë shqiptar në Ballkan e më gjerë, kanë emra konkret dhe qëndrojnë në krye të institucioneve më të larta shtetërore në republikat tona parlamentare.

Në Kosovë dhe në Shqipëri është bërë evidente, gati  njëkohësisht, kundërshtia edhe mediatike mes Presidentit dhe Kryeministrit. Arsyet e kësaj përballjeje mes tyre, që ndryshojnë në thelb nga njëra- tjetra, janë të njohura, siç mendoj se është i njohur edhe mospëlqimi i opinionit për gjuhën dhe epitetet e përdorura nga palët në këtë “përplasje”. Këto dukuri të ngjashme të “moskuptimeve dhe e mospajtimeve” mes figurave më të larta shtetërore në të dy vendet, dëshmojnë se: jo vetëm në Kosovë, (si shtet me moshë fare të re), por dhe në Shqipëri (shtet mbi njëqindvjeçar), ndërtimi i institucioneve, ndërveprimi i domosdoshëm në respekt të ligjit dhe në pushtet të ligjit, ende mungon. Edhe kur këto ekzistojnë faktikisht, (me Kushtetutë) shpesh dominohemi nga dukuri dhe veprime me rëndesë të ndjeshme autokratike.

Dihet që pluralizmi politik është fillesë dhe bazamenti i demokracisë. Krijimi, funksionimi dhe konkurimi mes programeve partiake dhe fushatave elektorale, me ose pa aleanca, çonë në marrjen e pushtetit përmes votës. Marrja e pushtetit është rezultat vetëm e vetëm i  votës së elektpratit; pushteti shpërndahet dhe realizohet nga individë konkretë. Kjo dihet, kurdoherë politika vepruese është kompetencë dhe detyrim për t’u realizuar nga parti e nga individë. Por politika, sidomos materializimi i saj, është  vështirë të realizohet sipas programeve, kur në realitet shpesh zbatohet vetautorësia nga këta individë që kanë marrë votën popullore. Fenomeni i “autokracisë” që në shqip përkthehet  “vetëpushtet” është një fenomen i njohur njerëzor. Uni, është i  gjithpushtetshëm për njeriun, që kur është ende fëmijë, por fuqizohet shumëfish në garën për pushtet. Uni, që bëhet inekzistent dhe nuk heziton të vetëflijohet për lirinë e vendit, për nderin apo dashurinë, ringrihet (për të mos thënë gërthet) kur i kërcënohet apo lëkundet pozita pushtetore. Personalizimi i pushtetit politik, i institucioneve të larta shtetërore apo dhe atij partiak, në realitetin aktual në Kosovë e në Shqipëri, në të dy anët e kufirit, jo vetëm po e “vret demokracinë”, por po dëmton  rëndë ekzistencën e shtetit, funksionimin normal të tij dhe imazhin ndërkombëtar të dy shteteve tona sovrane në Evropë.

(Autori është nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës)