00:35 / E Enjte, 23 Maj 2019 / indeksADMonline

Personazhi i aferës së fajdeve shpjegon si u keqpërdor emri i Kadri Veselit

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka ftuar një konferencë për media, për nesër në orën 10 të mëngjesit.

Arsyeja e thirrjes së saj nuk është bërë e ditur.

Emri i Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, në dy ditët e fundit, është bërë lajm, pasi që është përmendur nga persona të arrestuar si të dyshuar për fajde dhe mashtrime me para.

Por, njëri nga personazhet e kësaj afere, Kadri Rexhepi, gjatë një interviste për Interaktiv të KTV-së, ka shpjeguar se si ishte keqpërdorur emri i Kryeparlamentarit Veseli nga ky grup kriminal.

Ai ka thënë se fjalët “200 mijë euro i ka marrë Kadri Veseli” nuk ishin të tijat dhe ka pohuar se nuk e ka takuar kurrë Kadri Veselin, raporton Indeksonline.

Rexhepi, po ashtu, ka rrëfyer se Rrahim Hashimi, i përfshirë në këtë aferë, e kishte mashtruar duke ia dhënë një numër telefoni gjoja të Kryeparlamentarit Veseli.

“Unë kurrë nuk e kam parë Kadri Veselin, përveç në televizion. Ma ka dhënë edhe numrin e Kadri Veselit. Kemi biseduar me një telefon që ma ka dhënë ai. Lypke pare, por ai nuk ishte more hiç Kadria”, ka deklaruar ai.

Policia e Kosovës ka arrestuar një grup të të dyshuarve për fajde, mashtrim e detyrim. Drejtoria për Krime Ekonomike ka realizuar këtë aksion, pasi ky grup po hetohet për 2.5 milionë euro.

Ismet Osmani (Curri), Ilir Bojku, Mentor Maqani, Adil Thaçi, të arrestuar për këtë rast, mbeten në paraburgim prej 30 ditësh, ndërsa Rrahim Hashimi është liruar, edhe pse i njëjti u arrestua në Vushtrri, nën dyshimin për përfshirje në këtë grup./Indeksonline/