16:09 / E Hënë, 26 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Përurohet konvikti, i cili kushtoi 1.5 milion euro

Në Qendrën e Studentëve sot është përuruar konvikti numër VIII, ku ndërtimi i tij ka kushtuar 1.5 milion euro dhe në të do të banojnë studentët e Fakultetit të Mjekësisë.

Konvikti më i ri në Qendrën e Studentëve ka 155 dhoma me 305 shtretër, po ashtu përmban leximore, biblioteka, salla për rekreacione. Konvikti ofron edhe qasje për personat me aftësi të kufizuara në dhoma të caktuara për ta.

Për të përuruar këtë konvikt ishte edhe ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, i cili tha se studentët kosovarë e meritojnë të kenë kushte më të mira banimi, në mënyrë që atyre t’u mbetet obligimi i vetëm që të bëjnë studime të mira.

“Ky konvikt edhe një herë tregon që ne do të jemi të angazhuar dhe të zotuar që vazhdimisht t’i shtojmë kapacitetet e banimit, sepse këto konvikte po ua krijojnë një jetesë më të lehtë studentëve, për vet faktin që krijojnë kushte të mira, por edhe me çmime të ulëta, të cilat i kanë shumë ma lehtë me i përballu jetën e tyre studentore. Ne vazhdimisht do të kemi një bashkëpunim me të gjithë akterët, përfshirë edhe Qendrën Studentore, por edhe komunën që vërtet t’i shtojmë kapacitetet. Por, përkundër problemeve që i kemi me buxhet ne nuk do të ndalemi në asnjë moment që studentët tanë të kenë kushte edhe më të mira” ,tha Bytyqi.

I vetëdijshëm që me këto kapacitete të konvikteve nuk përmbyllen të gjitha nevojat që studentët kanë tha të jetë ministri Bytyqi, por ai tha se nuk do të ndalen së kërkuari kushte më të mira për studentët.

Bytyqi tha se përgjegjësi e tyre është që të krijojnë kushte të përshtatshme për studentët, ndërsa përgjegjësi e studentëve sipas tij është që të arrijnë rezultate të mira në studime.

“Konsideroj që studentët tanë tani duhet të jenë ardhmëria jonë, të jenë persona përgjegjës për zhvillimin e vendit tonë. Ju lutem angazhohuni që vërtet kërkoni studime cilësore, mos rreshtni duke kërkuar studime cilësore, asnjëherë mos e ndalni zërin kur nuk iu ofrojmë shërbime të mira dhe me angazhim të përbashkët të jeni sigurt që do ta arrijmë atë qëllim të cilin e kemi”, tha Bytyqi.

Përkundër shtimit të kapaciteteve, drejtori i përgjithshëm i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta, tha se kjo nuk i plotëson kërkesat në rritje për strehim dhe ushqim në këtë qendër.

Me shtimin e këtyre kapaciteteve numri i përgjithshëm i studentëve banues arrin në 4 mijë. Sidoqoftë kjo nuk i plotëson kërkesat në rritje për strehim dhe ushqim në Qendrën e Studentëve. Ne si menaxhment nuk do të ndalemi së punuari në rritjen e kapaciteteve tjera të nevojshme. Ky zgjerim i kapaciteteve padyshim kërkon përkrahjen dhe bashkëpunimin me Ministrinë e Arsimit, bashkëpunim i cili nuk ka munguar deri më tani. Duke e ditur se një rini e arsimuar është shpresë për një të ardhme të ndritur, shpresoj fuqishëm se kushtet e krijuara do të ndikojnë shumë në lehtësimin e studimeve tuaja. Andaj neve na mbetet vetëm të iu urojmë sukses në studime, shëndet dhe punë të mbarë”, tha Sfishta.

Në përurimin e konviktit të 8 në Qendrën e Studentëve ishte edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, kryetari i Komisionit për Arsim, Ismajl Kurteshi dhe personalitete të tjera të Universitetit të Prishtinës.