16:38 / E Martë, 24 Korrik 2018 / indeksADMonline

Pesë prokurorë të rinj për Prokurorinë Speciale

Mesi i muajit gusht pritet ta gjej Prokurorinë Speciale me pesë prokurorë të rinj. E në këtë formë po synohet të rritet efikasiteti i kësaj prokurorie; trajtimit të rasteve të terrorizimit, krimit të organizuar dhe krimeve të luftës.

Këto janë pritjet e kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, ministrit të Drejtësisë Abelard Tahiri dhe kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku. Ky i fundit priti sot në objektin e Prokurorisë Speciale, takim ky në të cilin u tha se u bisedua për forcimin e institucioneve të drejtësisë, meqë mandati i EULEX-it tashmë ka përfunduar.

Në takim u bisedua për rritjen e numrit të prokurorëve, e që tashmë dihet se Këshilli Prokurorial i Kosovës ka hap konkursin për avancimin e pesë prokurorëve për Prokurorinë Speciale.E pritjet janë që në gjysmën e gushtit do të jenë edhe pesë prokurorë të rinj, ku një prej tyre do të merret me krimet e luftës.

E Kryeprokurori Lumezi duke thënë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës i trajton si kompetencë ekskluzive edhe krimet e luftës, shtoi se në kuadër të  Departamentit për Krime të luftës vetëm gjatë vitit të kaluar kanë qenë 23 raste që janë trajtuar nga Prokuroria Speciale.Por ai tha se serbët që akuzohen për krime lufte e që janë në Serbi nuk mund të gjykohen në mugesë.

Ndërsa ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri tha se mbesin sfidë lëndët e dorëzuara nga EULEX-i në  Prokurorinë Speciale, e që sipas tij është numër i madh i tyre.

 

Kujtojmë se deri në prill të 2014-ës, krimet e luftës kanë qene kompetencë e UNMIK-ut dhe EULEX-it.