11:10 / E Martë, 15 Tetor 2019 / indeksADMonline

“Plani marshall” për Ballkanin Perëndimor? Kurti: Sjell zhvillim e përparim

​Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka pritur në një takim shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova.

Apostolova uroi Kurtin për rezultatin zgjedhor dhe për mbarëvajtjen e këtij procesi. Ajo tha se me përjashtim të pjesës veriore të vendit, ku u raportua se pati presion ndaj serbëve lokalë, gjithçka duket se shkoi në mënyrë të drejtë dhe të rregullt.

“Tani, është e rëndësishme që pas certifikimit të rezultateve të formohen institucionet dhe qeveria e re sa më parë në mënyrë që t’i hapet rrugë edhe alokomit të fondeve që Bashkimi Evropian i ndan për zhvillimin e projekteve të ndryshme në Kosovë, si në fushën drejtësisë, arsimit, sigurisë dhe mjedisit”, citohet të ketë thënë Apostolova sipas komunikatës së Lëvizjes Vetëvendosje.

Kurti e falënderoi shefen e Zyrës së BE-së për vizitën dhe gjithashtu shprehu shqetësimin me procesin zgjedhor në veri të vendit.

Ai tha se nevojitet adresimi i shkeljeve dhe parregullsive atje si dhe fillimi i dialogut për zhvillim me serbët lokalë.

Po ashtu, Kurti citohet të ketë përmendur nevojën e një miniplani Marshall plan të BE-së për Ballkanin Perëndimor, sidomos për bashkimin dhe zhvillimin e qyteteve të ndara, i cili do të mundësonte progres shoqëror dhe hov drejt integrimeve evropiane.

Kurti po ashtu tregoi se e ka mirëpritur vlerësimin dhe renditjen përkatëse të çështjeve të Përfaqësueses së Lartë të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini dhe të Komisionerit për Zgjerim, Johannes Hahn, për zgjedhjet e 6 tetorit, e të cilët theksuan rëndësinë që qeveria e re të fillojë sa më parë me masa që ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe social, sundimin e ligjit, zbatimin e MSA-së dhe çështjen e dialogut për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.