20:07 / E Diele, 14 Gusht 2022 / AR

Plumbat ndaj inspektorit të IMT, zbardhen dëshmitë: Këta duhen vrarë të gjithë

Plagosja me armë zjarri e një inspektori të IMT-të nga pronari i një godine të sapo shembur në Tiranë pasditen e së premtes është cilësuar nga prokuroria si një tentativë vrasjeje ndaj një funksionari publik.

Për këtë akuzë dhe për “armëmbajtjen pa leje”, prokurorët e Tiranës i kërkuan gjykatës caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për të akuzuarin për ngjarjen, Qani Muça.

Referuar dosjes së prokurorisë, të siguruar nga A2 CNN, tentativa e vrasjes së zyrtarit të IMT, Ilirjan Gavelli ka ndodhur gjatë një përleshjeje mes tij dhe Muçës. Inspektori i plagosur ka dëshmuar se po fotografonte objektin e shembur nga IMT kur është përballur me fyerje të 55-vjeçarit dhe ka parë një armë pistoletë të drejtuar nga vetja.

“Unë instiktivisht jam hedhur dhe ja kam kapur pasi isha në distancë 2-3 metra larg tij. Në momentin që i kam kapur armën, ai e ka shkrepur dhe kam ndjerë që plumbi më preku në pjesën e barkut. Kam vazhduar të përleshem me të për t’i hequr pistoletën, por mesa mbaj mend pistoleta ka shkrepur për herë të dytë, ndërsa unë vazhdoja ta mbaja të bllokuar nga duart armën e Qani Muçës. Edhe pse u afruan punonjësit e policisë, ai vazhdonte ta mbante dhe bënte rezistencë. Me sa kam parë, ishte në gjendje të dehur dhe vinte era alkool”.

Ndërsa punonjësit e policisë, që kanë dhënë deklarime për ngjarjen, kanë pohuar se ishin aty në mbështetje të aksionit të IMT, kur kanë dëgjuar të shtënat. Sipas njërit prej tyre, në momentin e shoqërimit të Muçës, ai ka thënë “këta duhen vrarë të gjithë, se janë kriminelë”.