12:55 / E Mërkurë, 10 Janar 2018 / indeksADMonline

“Po i vjen fundi kontestit për emrin e Maqedonisë”

Ekziston një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët, mendoj se kemi arritur deri tek fundi i problemit, thotë nënkryeministri për Eurointegrime Bujar Osmani në intervistën për televizionin grek TV Antena.

Shkurt pas takimeve të djeshme me homologët e tij, Nikos Koxias dhe Jorgos Katrugalos, Osmani duke folur për televizionin sqaron se problemi me emrin përveç se e bllokon perspektivën euroatlantike të Maqedonisë, paraqet edhe pengesë për bashkëpunimin bilateral.

“Mendoj se po i vjen fundi këtij kontesti. Ne na mori 25 vjet mundësi për bashkëpunim, për këmbim dhe zhvillim. Tani ka ardhur koha që ta mbyllim, pa dëme dhe duke marrë parasysh ndjeshmërinë e të dyja palëve për këtë çështje. Ekziston zgjidhje e cila është e pranueshme për të dyja palët, por pa u sulmuar vlerat më të ndjeshme që të dyja palët i kanë rreth kësaj çështje”, tha Osmani.

Ai, si në deklaratat për mediat pas takimit, kështu edhe për televizionin grek “Athina”, lidhur me shkrimet në media për emrin “Maqedonia e re” si një zgjidhje të mundshme, tha se ende nuk është arritur deri në atë fazë sa të bisedohet për propozime konkrete.

“Ne tani flasim për metodat për qasje, për ndjeshmërinë e problemit dhe për krijimin e kontakteve pozitive dhe për ndonjë hap që ndërkohë duhet të bëhet që të arrihet ky moment i pjekurisë, që të mundet ta mbyllim kontestin”, u shpreh Osmani.

Lidhur me atë nëse do të shpallet referendum në Maqedoni, Osmani tha se në këtë fazë duhet që të fokusohemi për gjetjen e zgjidhjes, ndërsa referendumin duhet ta lemë për më vonë.

Temat: