19:41 / E Enjte, 31 Maj 2018 / indeksADMonline

Policia arreston katër persona për dëmtim prone në Prizren

Policia e Kosovës respektivisht Drejtoria Rajonale e Prizrenit ka dhënë disa informacione lidhur me rastin dëmtim prone që u raportua dje në fshatin Novak të Prizrenit.

Me ç’rast një mashkull serb kishte raportuar se persona të panjohur kanë depërtuar në objektin e një shkolle, konkretisht në dhomën e cila shërben si ambulancë, ku përveç dëmtimit të disa librave për regjistrimin e pacientëve nuk është raportuar për ndonjë vjedhje tjetër. Sipas deklarimit të ankuesit edhe vlera e dëmit është shumë e vogël, transmeton ‘Indeksonline’.

Përmes një njoftimi Policia ka njoftuar se menjëherë pas raportimit të rastit ka ndërmarr veprime efikase dhe efektive hetimore-operacionale në funksion të identifikimit dhe kapjes së të dyshuarve për kryerjen e kësaj vepre penale dhe sot me 31.05.2018, ka rezultuar me arrestimin e tyre.

“ Lidhur me rastin janë arrestuar (4) katër persona të dyshuar, (tri femra dhe një mashkull të gjithë të moshës së mitur), ndaj të cilëve janë në proces edhe procedurat e parapara sipas ligjeve në fuqi. Janë njoftuar prindërit e të miturve si dhe autoritetet për kujdes ndaj të miturve për procedim dhe kompletim të procedurave të rastit sipas ligjeve të aplikueshme”, thuhet në njoftim./Indeksonline/

(Foto ilustrim)