17:32 / E Diele, 09 Qershor 2019 / indeksADMonline

Policia e Kosovës tregon pse u dënuan “Dardanët” derisa po shkonin të ndiqnin Kosovën

Tifozët e Kosovës, “Dardanët” janë nisur drejtë Bullgarisë për të ndjekur Kombëtaren për ndeshjen eliminatore.

Gjatë rrugës, konkretisht në autostradën “Arbër Xhaferi” policia e Kosovës ka shqiptuar një dënim për ta derisa kishin dalur jashtë autobusit për tu fotografuar.

Zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha ka thënë se ky dënim është shqiptuar për shkak se ata kanë rrezikuar trafikun, duke shtuar se nuk do të tolerohet askush.

“Policia e Kosovës në funksion të garantimit të një sigurie më të madhe në trafik ka paraparë që të realizojë kontrolle aktive edhe në këtë pjesë të autostradës”, ka thënë Hoxha.

“Policia ka hasur në disa automjete, respektivisht autobus në të cilën pasagjerët kanë dalë nga autobusi dhe kanë lëvizur nëpër autostradë dhe rreth saj, të cilët me veprimet e tyre  kanë rrezikuar sigurinë në trafik pastaj masat respektive janë ndërmarrë nga Policia me procedura ligjore”.

“Të gjitha veprimet që rrezikojnë sigurinë në trafik nuk do të tolerohen, qofshin në rrugë lokale, rajonale apo autostradë”, shtoi ai për Indeksonline.

“Apelojmë tek të gjithë drejtuesit e automjeteve që t’i respektojnë rregullat që dalin mbi ligjin mbi trafikun që të respektohen shenjat në rrugë, pasi në periudhën janar-maj kanë humbur jetën 35 persona”.

“Të gjitha njësitë tona janë aktive në autostradë dhe do të ndërmarrin veprime ligjore për shkelësit në trafik”. /IndeksOnline/