10:09 / E Hënë, 15 Janar 2018 / indeksADMonline

Policia jep detaje për aksidentin fatal në kryeqytet

Policia e Kosovës në Prishtinë ka dhënë detaje për aksidentin fatal që ka ndodhur pasmesnate në qendër të Prishtinës.

Sipas policisë, në këtë aksident jetën ka humbur një 38-vjeçar.

Po ashtu sipas të dhënave të policisë, gjatë vitit 2017 në rajonin e Prishtinës jetën kanë humbur 35 persona nga aksidentet në trafik.

Komunikata e plotë e policisë së Kosovës, Rajoni i Prishtinës:  

Sot rreth orës 02:00, në kryqëzimin që lidh rrugën “Agim Ramadani” me rrugën “Eqrem Çabej” në Prishtinë,  ka ndodhur një aksident trafiku ku për pasojë një person ka vdekur ndërkaq katër të tjerë janë lënduar.

Në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy vetura të cilat ishin në lëvizje,  vetura e tipit “Toyota Korolla , ngjyrë e bardhë , me targa të Republikës së Kosovës dhe vetura e tipit  “Golf  IV”, ngjyrë hiri me targa  të Republikës së Shqipërisë.

Si pasojë e këtij aksidenti janë lënduar pesë persona, njëri prej të cilëve nuk ka arrit të përballojë plagët e shkaktuara nga aksidenti dhe i njëjti në vend ngjarje ka ndërruar jetë, bëhet fjalë për viktimën:

Rr. H. 38 vjeç, mashkull, shtetas Kosovar, ( vozitësi i veturës Golf IV), vdekja e të cilit është konfirmuar nga ana e ekipit mjekësor në vendngjarje.

Ndërsa personat e tjerë të lënduar ( pasagjerë në veturën Toyota), janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK.

Lidhur me këtë aksident një person B.B 28 vjeç mashkull shtetas i Republikës së Kosovës,    (ngasësi i automjetit Toyota), është arrestuar dhe me urdhër të Prokurorit të shtetit, i është shqiptuar masa e ndalimit  prej 48orësh. Ndërkohë që trupi i viktimës është dërguar në Institutin e mjekësisë Ligjore për obduksion.

Gjatë vitit 2017 në rajonin e Prishtinës kanë ndodhur  7.643 aksidente trafiku prej tyre:

  • 31 Aksidente trafiku me pasoja fatale – 35 persona të vdekur
  • 2.346 Aksidente trafiku me të lënduar – 4.598 persona të lënduar, si dhe
  • 5.266 Aksidente trafiku me dëme materiale.

Andaj duke parë si shqetësues këtë numër të madh të aksidenteve të trafikut dhe veçanërisht numrin e madh të viktimave nga aksidentet fatale  dhe të personave të lënduar, kërkojmë nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë me përpikëri të gjitha rregullat e kodit rrugorë, në mënyrë që bashkërisht të ndikojmë në uljen e numrit të ngjarjeve aksidentale, uljen e vdekshmërisë në komunikacionin rrugor, e rrjedhimisht ngritjen e shkallës së sigurisë në trafik./Indeksonline/