15:12 / E Enjte, 23 Prill 2020 / indeksADMonline

Policia kishte rekomanduar të mos hiqen rrethojat afër Qeverisë (Dokument)

Njësia për Vlerësimin e Kërcënimit/Rrezikut (NJVKRR-ja) e cila vepron në kuadër të Policisë së Kosovës, i kishte rekomanduar zv/ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratë Publike, Xhelal Sveçlës, të mos hiqen rrethojat që ndajnë ndërtesën e Qeverisë dhe të Kuvendit me Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Por pavarësisht këtyre rekomandimeve, Sfeçla ka vendosur që sot të hiqen rrethojat e metalit dhe hapësira të lirohet për këmbësorë.

Në rekomandimet e këtij njësiti, ndër të tjera thuhet se eksitojnë disa arsyeje që ajo pjesë të mos lirohet për kalimin e qytetarëve.

Projekti i Sveçlës, sipas rekomandimeve të NJVKRR-së, ndikon në kërcënimin e sigurisë.

IndeksOnline ka siguruar ekskluzivisht edhe dokumentin ku i është dërguar Arton Berishës, Sekretar i Përgjithshëm MPBAP-së nga Kreu i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj me të gjitha rekomandimet përkitazi me këtë projekt.

Këto rekomandime janë dhënë me datën 14 shkurt të këtij viti ndërsa në fund të letrës që i është dërguar Berishës, shkruan se mbetet në autoritetin vendimmarrës të vendos në lidhje me këtë projekt, ndërsa NJKRR-ja është e gatshme të bashkëpunojë me ekipin për planifikim dhe të jep rekomandimet e nevojshme në aspektin e sigurisë, rreth shtrirjes së hapësirave për kalimin e këmbësorëve.

IndeksOnline ka kontaktuar edhe me Arif Daka, Drejtor i Departamentit të Standardeve dhe Politikave të Inxhinieringut dhe Menaxhimit të Ndërtesave Qeveritare – DSPIMNQ në MPB.

Ai tutje ka treguar se kërkesa për largimin e rrethojave është bërë qysh para një muaji.

“Dje është marrë vendimi, kërkesa ka qenë e mëhershme, ka një muaj, por njësia për rrezikshmëri e ka rekomanduar që të pritet edhe pak për shkak të rrezikshmërisë. Pas kësaj ne nuk kemi vepruar, derisa ka ardhur vendimin i ministrit Xhelal Sfeçla”, ka thënë ai për IndeksOnline.

Më poshtë gjeni të plota rekomandimet e NJVKRR-së dërguar Sekretarit të MPBAP-së:

Pas pranimit të kërkesës së MPBAP-së që të jepet mendim profesional në aspektin e sigurisë nga Njësia për Vlerësimin e Kërcënimit/Rrezikut (NJVKRR-ja) në lidhje me planifikimet për hapjen për këmbësorë të hapësirave mes përmes objektit të Kuvendit të RKS-së dhe objektit të Qeverisë së RKS-së nga sheshi “Skënderbeu) e deri tek rruga U}K-së )përballë objektit të ish ProCredit Bankës).
Ekipi i NJVKRR-së ka dalë në terren ku drejtpërsëdrejti nga zv/ministri i MPBAP-së Xhelal Sfeçla dhe zyrtarët e Administratës Publikë, ka marrë informatat ideore se ku planifikohet të shtrohet hapësira për kalimin e këmbësorëve dhe menjëherë ka filluar me kujdes t’i analizojë informatat në dispozicion sa i përket sigurisë së tre objekteve të institucioneve kryesore të vendin e posaçërisht sigurinë e këtyre objekteve në rast se vendoset që hapësira për kalimin e këmbësorëve të realizohet.
Në hapësirat ku planifikohet për kalim të këmbësorëve janë të përqendruara objektet e tre institucioneve, ku janë të vendosura zyrat (kabinetet) e tre përfaqësuesve më të lartë shtetëror (Presidenti, Kryeparlamentari dhe Kryeministri) të vlerësuar me Nivelin e Lartë të rrezikshmërisë, Zyra e Bashkësisë Evropiane, kabinetet e disa Ministrive dhe stafit të tyre, që kërkohet siguri dhe qetësi për kryerjen e punëve dhe obligimeve të tyre ditore.
Në këto hapësira organizohen pritjet ceremoniale me rastin e vizitave të burrështetasve më të larta shtetëror të huaja që kërkon nivelin më të lartë të sigurisë si dhe janë përcaktuara vend parkingjet për veturat e Kryeministrit, ministrave, këshilltarëve të tij dhe delegacioneve të huaja që vizitojnë Kosovën.
Duhet pasur parasysh kërcënimet globale të sigurisë ku Republika e Kosovës është rreshtuar krah SHBA-së dhe shteteve perëndimore në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, kthimi dhe gjykimi i qytetarëve tanë që kanë marrë pjesë në luftërat e huaja, migrimet e shumta nga krizat e luftërave e që RKS-në e përdorin si transit apo edhe qëndrim, pa pasur ndonjë informatë mbi të kaluarën e tyre kriminale, rrjedhat politike në shtet rreth Kosovës si dhe disa sulmeve direkte të këtyre objekteve në të kaluarën e afërt.
Në këto hapësira janë të vendosura sistemet për ajrosjen e hapësirave ku janë të vendosura Qendra e Situatave të Sigurisë dhe serverët e Ministrisë së Financave, që janë jetike për funksionimin dhe punën normale dhe të sigurt të këtyre zyrave, ky projekt direkt ndikon në kërcënimin e sigurisë.
Me qëllim të ngritjes së sigurisë së personave me Rëndësi të Veçantë të tre institucioneve dhe krijimit të kushteve për punë të papenguar të të gjithë punësuarve në objektet e këtyre institucioneve, ofrimi i sigurisë dhe punës pa pengesë të zyrave të BE-së, NJVKRR-ja vlerëson se hapja e hapësirave për kalimin e këmbësorëve do të ndikon direkt në uljen e sigurisë së këtyre objekteve dhe rekomandon që ky projekt të shtyhet derisa të krijohen rrethanat e volitshme të sigurisë për implementimin e këtij projekti.
Mbetet në autoritetin vendimmarrës të vendos në lidhje me këtë projekt, ndërsa NJKRR-ja është e gatshme të bashkëpunojë me ekipin për planifikim dhe të jep rekomandimet e nevojshme në aspektin e sigurisë, rreth shtrirjes së hapësirave për kalimin e këmbësorëve.