15:27 / E Martë, 05 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Policia konfirmon grabitjen e bankës

Policia e Kosovës ka konfirmuar grabitjen e ndodhur në një filial të Teb Bankës në Çagllavicë, për të cilin rast raportoi Indeksonline pak qaste më parë.

“Sot rreth orës 15:00 policia ka marrë informatën për një grabitje të armatosur. Grabitja ka ndodhur në filialin e një banke që gjendet në Çagllavicë “, ka thënë Flora Ahmeti, zyrtare për informim në Policinë Rajonale të Prishtinës.

Sipas saj, menjëherë pas marrjes së këtij informacioni strukturat rajonale për hetimin e krimit me një intensitet të shtuar kanë filluar ndërmarrjen e një varg veprimesh operative dhe hetimore.

“Mbështetur në rezultatet e para të grupit hetimor që po zhvillon hetimet lidhur me rastin në fjalë, dyshohet se kjo grabitje është realizuar nga katër persona të dyshuar dhe të armatosur. Të dyshuarit pas grabitjes janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë e cila është identifikuar nga ana e policisë”, ka thënë ajo.

Aktualisht policia po punon me përkushtim për të identifikuar të dyshuarit dhe vendndodhjen e tyre./Indksonline/