14:46 / E Enjte, 02 Nëntor 2023 / k.v

Policia me aksion në disa rajone të vendit, ja çfarë u konfiskua [Foto]

IndeksOnline ka raportuar në mëngjes për një aksion të madh të policisë që po zhvillohet në disa lokacione. Tani policia ka dalë me njoftim sa i përket këtij aksioni ku ka njoftuar se janë gjetur dhe sekuestruar disa armë zjarri e municione të ndryshme. Në polici janë shoqëruar dhjetë persona, mirëpo pas intervistimit, me urdhër të prokurorit të njëjtit janë liruar.

Njoftimi i plotë i policisë:

Policia e Kosovës, konkretisht Njësia për Hetimin e Krimit të Organizuar, në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda të PK-së, bashkë me njësitet mbështetëse policore, ka bërë realizimin e një urdhër-kontrolli, bazuar në hetimet që ishin zhvilluar më herët në lidhje me dyshimet për veprën penale nga Neni 364 i KPRK-së “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.

Gjatë këtij operacioni policor, sot, me datën 02.11.2023, është bërë kontrollimi i shtëpive me objektet përcjellëse dhe e një lokali në njëmbëdhjetë (11) lokacione, në katër rajone: Prishtinë, Pejë, Mitrovicë dhe Gjilan. Gjatë kontrollit të lokacioneve të lartcekura janë gjetur dhe janë sekuestruar dëshmitë materiale si në vijim: d

dy (2) pushkë automatike AK 47,

dy (2) pushkë gjuetie,

një (1) pistoletë,

pesë (5) karikator,

njëqind e gjashtëmbëdhjetë (116) fishekë të kalibrave të ndryshëm etj.

Në polici janë shoqëruar dhjetë (10) persona dhe pas intervistimit të tyre të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt.