13:54 / E Mërkurë, 23 Shtator 2020 / indeksADMonline

Policia me plan operativ, gjoba e kontrolle për makinat bujqësore dhe automjetet pa sinjalizues

Me qëllim parandalimin e aksidenteve në trafik, sidomos atyre me fatalitet, lëndime trupore dhe dëme materiale si pasojë e parregullsisë së gjendjes teknike të makinave bujqësore dhe lëvizjes së tyre gjatë orëve të mbrëmjes, dhe të njëjtat si shkak i parregullsisë teknike pa drita sinjalizuese, policia rajonale në Prizren, konkretisht Njësia e komunikacionit rrugor, ka ndërmarrë dhe zhvilluar një plan operativ nga 12 shtatori 2020, duke kontrolluar zonat që konsiderohet si më të rrezikshme e ato janë:

-Rruga magjistrale Prizren-Gjakovë në aksin rrugor Piranë-Krushë e Vogël;

-Rruga magjistrale Prizren-Suharekë nga fshati Lubizhdë deri në Suharekë, dhe;

-Suharekë-Mamushë në fshatrat Reshtan-Studençan.

      Në këto rrugë për shkak të zonave bujqësore, ka lëvizje të makinerive dhe mjeteve bujqësore, të cilët paraqesin rrezik në komunikacion.

      Gjatë kontrollimit të këtyre mjeteve, policia gjatë kësaj periudhe ka gjetur parregullsi dhe ka shqiptuar gjoba për 50 automjete.

      Policia do të vazhdojë edhe më tej këtë plan operativ, duke pasur si gjithmonë parasysh krijimin e kushteve të sigurta, për pjesëmarrësit në komunikacion, sidomos mjetet bujqësore që paraqesin rrezik në komunikacion për shkak të gjendjes së tyre jo të rregullt teknike dhe pa drita sinjalizuese.