23:05 / E Diele, 24 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Policia pengon garën me vetura në Gjilan, dy të arrestuar

Dy persona janë shoqëruar në stacion policor nën dyshimet se kanë prishur rendin dhe qetësinë para disa minutave në Gjilan.

Policia e Kosovës është dashur të intervenojë sonte në orët e mbrëmjes pas një tubimi të të rinjve në Gjilan për të cilët dyshohet se kanë tentuar të bëjnë gara me makina.

Merret vesh se të rinj nga disa qytete, anëtarë të një grupi në Facebook që mbledh pasionantët e makinave ishin mbledhur në këtë lokacion ku po qëndronin me vetura.

Më pas të njejtit janë shpërndarë nga policia ku ishte shkaktuar një tollovi, siç shihet në video.

Ismet Hashani, Zëdhënës i Policisë së Kosovës, tha për kallxo.com se dy persona janë dërguar në stacionin policor dhe ndaj tyre është nisur rast penal.

“Policia e Kosovës janë njoftuar që në një pompë të benzinës, në dalje të Gjilanit janë mbledhur një numër i konsiderueshëm i njerëzve me vetura, që besohet se kanë bërë gara. Ka pasur ankesa që aty kanë hedhë edhe mjete piroteknike. Dy persona janë sjellë në stacion policor, ndaj tyre është inicuar rasti “Prishje e Rendit dhe Qetësisë Publike” dhe “Dëmtim Prone”. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21”, tha Hashani.