12:04 / E Hënë, 26 Nëntor 2018

Policia: Po punojmë për të identifikuar grabitësit e TEB Bankës

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për grabitjen e armatosur që ka ndodhur sot në degën e TEB Bankës në lagjen “Dardania” në Prishtinë.

Njoftimi i plotë i policisë:

Sot rreth orës 10:00 policia ka marrë informatën për një grabitje të armatosur.

Grabitja ka ndodhur në filialin e një banke që gjendet në rrugën “Robert Doll” në Prishtinë.

Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni strukturat rajonale për hetimin e krimit me një intensitet të shtuar kanë filluar ndërmarrjen e një varg veprimesh operative dhe hetimore.

Mbështetur në rezultatet e para të grupit hetimor që po zhvillon hetimet lidhur me rastin në fjalë, dyshohet se kjo grabitje është realizuar nën kërcënimin e armëve.

Personat e dyshuar, që të gjithë maskuar, kanë grabitur një sasi të parave dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë.

Aktualisht policia po punon me përkushtim për të identifikuar të dyshuarit dhe vendndodhjen e tyre.