16:21 / E Diele, 01 Korrik 2018 / indeksADMonline

Policia sqaron si i paguan zyrtarët me pozita më të larta

Policia e Kosovës ka dhënë sqarime lidhur me të punësuar të stafit policor vazhdojnë të ushtrojnë pozita të punës në mospërputhje me gradat e fituara dhe se me vendim të drejtorit të përgjithshëm, kompensimi për të punësuarit që ushtrojnë pozita më të larta, bëhet në bazë të pozitës dhe jo në bazë të gradës që e ka arritur i punësuari.

Sipas Policisë, me qëllim të plotësimit dhe sistematizimit të pozitave me grada respektive ka realizuar proceset e promovimit/gradimit të zyrtarëve policor, të cilat tani më kanë përfunduar për gradën nënkolonel dhe major, përderisa aktualisht jemi duke vazhduar procesin e promovimit për gradën kapiten

Komunikata e plotë:

Për hirë të korrektësisë dhe transparencës së vazhdueshme që ka treguar me media dhe opinionin me titull ”Të privilegjuarit në Policinë e Kosovës, ja si i marrin pagat” dëshirojmë të ju informojmë dhe sqarojmë se:

Për të realizuar me sukses objektivat Kushtetuese dhe ligjore, si çdo polici tjetër në botë edhe Policia e Kosovës ka nevojë të caktimit të personelit policor në detyra dhe pozita të caktuara sipas strukturës organizative, e po ashtu edhe të pajiset me pajisje nga më të ndryshmet dhe komplekse të fushës së sigurisë.

Policia e Kosovës si organizatë e madhe me mbi 9000 punonjës ka  raste ku zyrtarët policor suspendohen apo transferohen  për  shkaqe të ndryshme ku pozitat e tyre duhet patjetër të plotësohen me personel tjetër në cilësinë e ushtruesve të detyrës derisa të rekomandohet për veprime te mëtutjeshme nga autoriteti përkatës.

Një analizë të tillë të uljes së numrit të pozitave të caktuara si ushtrues detyre, PK-ja e ka filluar që nga viti 2011 e cila ka vazhduar në kontinuitet, me qëllim të ndërmarrjes së veprime konkrete duke ulur dukshëm numrin e pozitave të tilla.

Vlen të sqarohet se në Policinë e Kosovës numri i pozitave si ushtrues detyre tani është vetëm trembëdhjetë, dhe kjo ndodh me faktin se zyrtari i PK-së i cili qëndron në një pozitë me gradë më të lartë, sipas procedurave paguhet sipas gradës ekuivalente me atë pozitë. Këto raste në PK, paraqiten sipas nevojës së plotësimit të strukturës organizative, nevojave operacionale dhe funksionalizimit sa më e fikas të punës policore.

Lidhur me pagat dhe kompenzimin e personelit policor sipas ligjit të Policisë merren parasyshë kushtet e veçanta nën të cilat ata i kryejnë detyrat e tyre. Paga themelore e zyrtarëve ndryshon duke u bazuar në faktorët përfshirës, por jo të kufizohet vetëm me gradën dhe kohëzgjatjen e shërbimit. Megjithatë, ne si PK kemi marr seriozishtë të gjitha rekomandimet nga autoriteti i auditimit dhe në vazhdimësi kemi qenë dhe jemi të përkushtuar në implementimin e këtyre rekomandimeve.

Sa i përket menaxhimit të buxhetit dhe çështjeve financiare PK-ja i kushton një rëndësi të veçantë respektimit dhe implementimit të procedurave të parapara sipas rregullave financiare, duke përfshirë edhe çështjen e pagave të cilat realizohen sipas procedurave të parapara ligjore, konform pozitave që parashihen,  ndërsa për personelin e uniformuar sipas gradës.

Policia e Kosovës me qëllim të plotësimit dhe sistematizimit të pozitave me grada respektive ka realizuar proceset e promovimit/gradimit të zyrtarëve policor, të cilat tani më kanë përfunduar për gradën nënkolonel dhe major, përderisa aktualisht jemi duke vazhduar procesin e promovimit për gradën kapiten, procese këto të cilave iu paraprinë një analizë dhe vlerësim i nevojave për kapacitete apo resurse njerëzore, njëkohësisht duke marr parasyshë edhe rekomandimet nga autoritetet për auditim të realizuar gjatë vitit 2017, ku tanimë gjendja reale në këtë drejtim në PK-ë dukshëm është përmirësuar në aspektin pozitiv.

Vlen të potencohet se në vitin e kaluar për arsye të disa ndryshimeve në rregullat financiare nga Ministria kompetente, edhe në Policinë e Kosovës janë shkaktuar disa vështirësi në adaptim me rregullat e reja, probleme këto të cilat tanimë janë zgjidhur.

Menaxhmenti i PK-së është shumë i përkushtuar që të ketë kontroll, mbikëqyrje dhe  zbatim të plotë të të gjitha procedurave duke përfshirë edhe çështjen e pagave që të realizohen konform legjislacionit në fuqi, andaj sqarojmë dhe njëherit konfirmojmë se nuk ka punonjës të privilegjuar brenda PK-së, por të gjitha marrin pagat e tyre konform legjislacionit në fuqi, të uniformuarit sipas gradës dhe të tjerët sipas pozitave.

Edhe për raportin në fjalë të auditorit për vitin 2017,  Policia e Kosovë i ka dhënë të gjitha sqarimet për gjendjen faktike të të gjeturave në PK, sqarime këto të cilat janë përfshirë në pjesën e fundit të raportit të publikuar nga auditori i përgjithshëm.

Policia e Kosovës në shfrytëzimin e buxhetit që i ndahet është shumë transparente dhe kujdeset që të respektohet legjislacioni në përpikëri.

Përndryshe, sipas Zyrës Kombëtare të Auditorit, në vitin 2017, në Policinë Kosovën, 375 të punësuar të stafit policor vazhdojnë të ushtrojnë pozita të punës në mospërputhje me gradat e fituara dhe se me vendim të drejtorit të përgjithshëm, kompensimi për të punësuarit që ushtrojnë pozita më të larta, bëhet në bazë të pozitës dhe jo në bazë të gradës që e ka arritur i punësuari.

Sipas auditorit, dhënia e pagës në pazë të pozitës, është në kundërshtim me sistemin e pagave të PK-së, ku koeficienti i pagës bazë për stafin policor përcaktohet në varësi të gradës dhe jo pozitës së punës.