23:24 / E Mërkurë, 04 Prill 2018 / indeksADMonline

Policia thotë se protesta e opozitës është e paligjshme

Policia e Shtetit “nuk ka marrë njoftim ligjor për protestën” e së enjtes dhe nuk do të “lejojë protesta të askujt, që në emër të lirisë së tubimit cënojnë lirinë e sigurinë e të tjerëve”.

Kështu lexohet në deklaratën e Policisë së Shqipërisë të publikuar mbrëmjen e së mërkurës, disa orë përpara protestës që opozita ka lajmëruar, protestë që do të shoqërohet me bllokimin e disa akseve rrugore.

“Zhvillimi i protestës së paralajmëruar mediatikisht, për vetë natyrën e saj përbën një cënim të rëndë të ligjit, të rendit publik dhe lirisë e sigurisë së çdo qytetari, që ka të drejtën të përdorë hapësirat e pushtuara nga një protestë e tillë. Organizatorët e kësaj proteste të paligjshme do të përballen me ligjin për çdo pasojë të paparashikuar, që mund të sjellë një protestë e organizuar për të nxitur rrëmujë dhe konflikt në pika nevralgjike për qarkullimin e njerëzve dhe mjeteve”.

“Policia e Shtetit njeh dhe respekton si të paprekshme të drejtën për të protestuar. Por ajo ka përgjegjësi ligjore, si dhe gatishmërinë për të mos lejuar cënimin e interesit të qytetarëve. Policia e Shtetit u bën apel të gjithë qytetarëve të mos bien pre e një politike të angazhuar për të goditur ligjshmërinë dhe institucionet e vendit, duke dëmtuar interesat e njerëzve e të vetë vendit”.

“Zhvillimi i një proteste të paligjshme mund të përdoret nga elementë me precedentë kriminalë dhe të nxitur a të paguar për të krijuar paqëndrueshmëri shoqërore. Policia i bën thirrje çdo qytetari të mos bëhet pjesë e kësaj proteste të paligjshme dhe me rrezik për rendin e sigurinë. Gjithashtu, Policia e Shtetit i kërkon paraprakisht ndjesë çdo qytetari, për çdo rast kur nuk do të mund t’i shërbejë si duhet lirisë së qarkullimit”, thuhet në deklaratë.