13:04 / E Martë, 09 Janar 2018 / indeksADMonline

Policia tregon arsyen e vdekjes së dy serbëve në Babimovc

Policia e Kosovës ka njoftuar se bazuar në hetimin preliminar serbja G. M. është ngulfatur me një litar nga bashkëshorti i saj B. M. dhe më pas ky i fundit dyshohet se ka kryer vetëvrasje me armë të ftohtë, thikë, e cila edhe është gjetur në afërsi të tij.

Sipas informacioneve fillestare që posedon policia ekziston dyshimi i arsyeshëm se i dyshuari vuante nga probleme psikike për një periudhë të gjatë.

Ky version mund të përforcohet apo të ndryshoj pas autopsisë, ekzaminimit të dëshmive të marra nga vendi i ngjarjes, dhe rezultatit të hetimeve që po zhvillohen.

Ndryshe, mbrëmë rreth orës 21:00, në fshatin Babimovc të Obiliqit, në një shtëpi janë gjetur të vdekur dy serbë, G. M. 50- vjeç dhe B. M. 55- vjeç, shtetas të Republikës së Kosovës.

Menjëherë pas marrjes së informatës në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes, me ç’ rast ka hasur viktimat

Vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor në vend ngjarje dhe me urdhër të Prokurorit të shtetit trupat e pajetë janë dërguar për autopsi.

Hetuesit rajonal për hetimin e krimit së bashku me hetuesit policor të stacionit të Obiliqit në koordinim me prokurorinë përkatëse, me një intensitet të shtuar menjëherë kanë filluar ndërmarrjen e një varg veprimesh hetimore dhe po bëjnë përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin.

Në vendin e ngjarjes janë intervistuar dëshmitarët, testuar të gjitha dritaret të cilat kanë qenë të mbyllura, dera e shtëpisë ka qenë e mbyllur, dhe supozohet se nuk ka pasur hyrje të dhunshme në shtëpi, deri në momentin e hyrjes nga dëshmitarët.