18:02 / E Shtunë, 17 Prill 2021 / OSH

Policia: Zyrtarët policor nuk kanë marrë në pytje asnjë gazetarë, janë ftuar vetëm për informim

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se drejtori i Insajderit, Parim Olluri është ftuar në stacion policor vetëm për informim, shkruan IndeksOnline.

Në njoftim thuhet se zyrtarët policorë nuk kanë marrë në pyetje dhe nuk kanë vendosur nën hetim asnjë qytetar që ushtron profesionin e gazetarit.

“Vlen të potencohet se Policia e Kosovës të gjitha veprimet i ka ndërmarr konform autorizimeve ligjore, dhe i ka shumë të qarta autorizimet që ia jep ligji me të cilin funksionon por edhe të drejtat e garancitë që burojnë nga ligji për mbrojtjen e burimeve të gazetarisë”, thuhet tutje.

Njoftimi:

Policia e Kosovës, pas pranimit të informatave se ishin publikuar informacione konfidenciale në median e shkruar, sipas autorizimeve ka ndërmarrë veprime ligjore drejt njoftimit të Prokurorisë kompetente.

Pas këtij veprimi sipas urdhrit të Prokurorisë, veprimet e tjera janë ndërmarrë në përputhje të plotë me Legjislacionin në fuqi dhe të drejtat e garancitë që burojnë prej tyre.

Policia, në këtë rast zyrtarët policor nuk kanë marrë në pyetje dhe nuk kanë vendosur nën hetim asnjë qytetar që ushtron profesionin e gazetarit, sipas urdhrit të Prokurorit në pyetje janë marrë vetëm personat apo zyrtarët që e kanë poseduar informacionin konfidencial.

Ndërsa përfaqësuesit e mediumit që e kanë publikuar informacionin, janë ftuar vetëm për informim sipas udhëzimeve të prokurorit.

Vlen të potencohet se Policia e Kosovës të gjitha veprimet i ka ndërmarr konform autorizimeve ligjore, dhe i ka shumë të qarta autorizimet që ia jep ligji me të cilin funksionon por edhe të drejtat e garancitë që burojnë nga ligji për mbrojtjen e burimeve të gazetarisë.

Është po ashtu e rëndësishme që të mbrohet interesi publik, i dëmtuar këtë rast me rrjedhjen e informacionit konfidencial, andaj veprimet e Policisë për njoftimin e Prokurorisë kanë të bëjnë me përgjegjësit për rrjedhjen e informatave konfidenciale e jo me publikimin e tyre.