08:13 / E Mërkurë, 30 Maj 2018 / indeksADMonline

Politikani zviceran që pushimin në Japoni e kaloi në burg

Në një qeli të burgut politikani zviceran Frederic Brantschen e kaloi shumicën e pushimit të tij në Japoni.

“Kisha pirë pak dhe dëshiroja që të hyja në hotelin tim”, tregon ai ngjarjen që solli keqkuptimin për të cilin ai qëndroi dy javë në burg.

Por, edhe pse donte të shkonte në hotel, politikani nga kantoni Valais nuk e kuptoi që në fakt kishte hyrë në një bar të karaokes, afër hotelit të tij.

“Kur e kërkova dhomën time, recepsionisti më shikonte çuditshëm”, shpjegon ai, raportojnë mediat zvicerane.

Ai në këtë moment kishte menduar se recepsionisti nuk dëshiron ta lejojë atë të hyjë në hotel, këtu edhe filloi përplasja.

30 vjeçari këmbëngul se nuk ishte i dehur, por vetëm tejet i lodhur.

U dërgua në burg, ku asnjë avokat nuk u paraqit. Edhe pse trajtohej me respekt të madh, askush afër tij nuk fliste gjuhën angleze, gjermane apo atë franceze.

Ambasada zvicerane më në fund arriti të kontaktojë dhe t’ia paguajë telefonin kamerierit, pasi gjatë zënkës atij i ishte dëmtuar telefoni. Kështu edhe Brantschen u lirua pa asnjë akuzë.