13:15 / E Premte, 10 Janar 2020 / indeksADMonline

POPULLI DËSHIRON TA PROVOJË ALBININ NË PUSHTET!

Shkruan: Selman Hoxha

Gjatë formimit të tij politik, Albin Kurti me Vetëvendosjen kanë manifestuar besim, bindje, konsistencë, karakter dhe moral njerëzor e politik në synimet e tyre politike. E morali politik, nuk i ka karakterizuar shumë liderët dhe subjektet tjera politike të vendit në këto dy dekadat e pas luftës! Për më tepër në kushte e rrethana favorizuese të pasluftës, qeveritarët abuzuan skajshmërisht me lirinë!

Për shkak të keqkuptimit, çoroditjes dhe shpërdorimit të lirisë, nga një vend i ri e me mundësi zhvillimi, pushtetarët e katandisën Kosovën në vend të pa shpresë, ku për njeriun e zakonshëm jeta u bë e padurueshme! Ndaj, sot shumica e rinisë dhe popullit nuk shohin më ëndrra në Kosovë as për Kosovën. Por, të zgjuar bëjnë dhe realizojnë plane për braktisjen e atdheut të tyre.

Liderët e partive politike, herë në pushtet herë në opozitë, pa përjashtim, kush më shumë e kush më pak, kanë shpërfaqur dobësi dhe papërgjegjësi nga më të ndryshmet! Albin Kurti është i vetmi lider politik të cilin populli nuk e ka provuar me pushtet.

Në kohën e okupimit serb, Albinin si student dhe aktivist e kemi parë në protesta. E kemi parë duarlidhur dhe të keqtrajtuar para edhe pas çlirimit! E kemi parë të jetë tërhequr zvarrë në rrugë para edhe pas lufte! E kemi parë të arrestuar, të prangosur dhe burgosur para edhe pas lufte! E kemi parë gjithashtu qëndrimin e tij politik para gjykatës pushtuese por edhe para gjykatave të Kosovës së lirë! E kemi parë gjithashtu edhe si deputet e opozitar, të rebeluar, duke protestuar në rrugët e qytetit. Por, të tillë e kemi parë edhe në Kuvend! E kemi parë mospajtues dhe kundërshtues kurajoz dhe të guximshëm ndaj shumë vendimeve (të dëmshme) të Kuvendit dhe qeverisë së Kosovës!

Ka shumëçka që kemi parë dhe përcjellë tek Albini! Por, sigurisht ka edhe tjera që nuk i kemi parë dhe nuk i dimë! E për ato që nuk i kemi parë dhe nuk dimë nuk mund të gjykojmë as paragjykojmë!

Në fushatën e zgjedhjeve të 6 tetorit e kemi parë dhe dëgjuar çfarë fliste dhe çfarë premtonte. E kemi parë dhe dëgjuar të fliste edhe si fitues i zgjedhjeve në orën e fundit të 6 tetorit. Por, ajo çfarë nuk kemi parë është: Albin Kurti si qeveritar dhe kryeministër të Kosovës!

Si aktivist i rebeluar dhe lider opozitar ishte kundërshtuar, kritikuar dhe ofenduar nga rivalët politik duke u vlerësuar si lider i papranueshëm edhe nga miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtar! Por, një gjë është e ditur për të gjithë, Albini nuk ka pikë nga qielli! Ai është biri dhe vëllai ynë. Ai lindi, u rrit e burrërua dhe u kalit në karakter dhe moral në gjirin e popullit të shumëvuajtur dhe nëpërkëmbur!

Albini ka vizion dhe projekt politik në kontinuitet dhe qëndrueshmëri. Albini ka dinjitet, dije, guxim qytetar e politik! Më në fund, ai u pa se është edhe negociator i mirë, respektues dhe respektiv i cili di të bëj edhe kompromise politike, por jo të atilla që dëmtojnë dhe dezintegrojnë shoqërinë dhe shtetin e pa konsoliduar! Ai gjithashtu po manifeston ekuilibër pjekuri, diplomaci dhe karakter të fortë politik!

Sigurisht që Albini nuk është shenjtor. Por edhe shenjtorët kanë qenë njerëz që kanë pasur mëkate të vogla. Por, Albini absolutisht i ka të gjitha resurset që të ngritët në lider të vërtetë, jo vetëm popullor, por edhe burrështetas për të cilin kombi ynë ka shumë nevojë! Andaj Albini duhet të bëj më shumë kujdes karshi krenarisë dhe disa deficiteve tjera minore, sepse, interesi politik, rivaliteti i paskrupull dhe xhelozia ndaj lidershipit të tij janë tepër të mëdha!

Shyqyr që Albini në projektin e tij politik nuk është i vetëm. Ai ka simpatizues, admirues dhe përkrahës jo vetëm në VV e LDK e Kosovë, por edhe në subjektet tjera politike, jo vetëm ato kosovaro-shqiptare!

Konstatoj se nëse brenda afatit kushtetues për formimin e kabinetit qeveritar nuk i jepet besimi dhe përkrahja nga subjektet tjera politike, më shumë se vetë Albini dhe Vetëvendosje, do të dalin humbëse subjektet tjera politike, e mbi të gjitha shoqëria dhe shteti i Kosovës! Prandaj, nuk duhet humbur koha e çmuar për këndelljen e shoqërisë dhe funksionalizimin e konsolidimin e shtetit normal të Kosovës me vlera dhe standarde bashkëkohore!