06:20 / E Shtunë, 14 Tetor 2017 / indeksADMonline

Premtime paushall

Premtime për punësimin e dhjetëra mija qytetarëve gjatë një mandati katërvjeçar në komuna, rritje pensionesh dhe të skemave tjera sociale e shumë premtime të tjera vështirë të realizueshme po japin kandidatët për kryetarë komunash që garojnë në zgjedhjet e 22 tetorit 2017. Për më tepër, realizimi i shumë nga këto premtime nuk është në kompetencë të nivelit lokal, por të atij qendror.

Besa Luzha, analiste politike, thotë për “Zërin” se kandidatët po rrëmbehen nga ethet elektorale dhe shpesh premtojnë gjëra që nuk janë në kompetencat e tyre.

“Rritja e pensioneve varet nga niveli qendror, por komuna ka kompetenca në ofrimin e shërbimeve sociale më të mira për qytetarët e saj”. Prandaj Luzha ka shtuar se kandidatët, por edhe qytetarët duhet ta dinë saktësisht se çka mund e çka nuk mund të realizohet nga niveli lokal.

E në këtë rast siç thekson dhe Luzha, komuna mund të ofrojë shumë lehtësira për pensionistët si lirimin nga pagesa për shërbime… Ndonëse komuna ka të drejtë të investojë në infrastrukturë shkollore që i jepet me Ligjin për Arsimin Parauniversitar, Luzha thotë se problemi është shpesh te buxheti sepse ministritë e linjës i mbajnë investimet kapitale vetëm për vete.

“Në vend se t’ia transferojnë ato komunës për t’i realizuar kompetencat që i kanë, ministritë përdorin mjetet për investim kapital shpesh në mënyrë selektive për të ndikuar tek elektorati i tyre. Por gjithmonë ekziston mundësia për bashkëpunim të komunës me nivelin qendror, mandej të bashkëpunimit ndërkomunal për projekte të përbashkëta, që nuk shfrytëzohen sa duhet si mundësi, sepse ndikimi politik është në rend të parë, para shërbimit ndaj qytetarit”, thotë Luzha.

Ajo thekson se qytetari i mirëinformuar mund të ketë ndikim në përzgjedhjen e kandidatit që më realisht i qaset problemeve.