Premtimi i thyer i Elezajt për gratë
Zenun Elezaj arriti të mposhtë Sokol Bashotën në garën për kryetar të Klinës. Fitorja e tij ishte njëra prej befasive të zgjedhjeve lokale, pasi mposhti kandidatin e PDK-së, i cili ishte kryetar për tri mandate.
Me të marrë drejtimin e Komunës së Klinës, Elezaj nuk e mbajti njërin prej premtimeve të dhëna në fushatën zgjedhore.
Në emisionin “Debat Pernime” për Klinën, Elezaj kishte premtuar se tri drejtori do t’ia besojë grave.
“Edhe unë premtoj tri drejtori (për gratë) e me tepër”, ishte përgjigjur kandidati i AAK-së gjatë emisionit në fushatë zgjedhore.
Një javë pasi u betua si kryetar i Klinës, Elezaj nuk e ka mbajtur premtimin e dhënë.
Ai i ka emëruar të gjithë drejtorët e drejtorive komunale. Nga dhjetë drejtori sa janë gjithsej në ketë komunë, vetëm njëra do të udhëhiqet nga një grua.
Njomza Grabanica, do të udhëheqë Drejtorinë e Kadastrës.
Edhe nën qeverisjen e Sokol Bashotës ishte vetëm një drejtoreshë.
Emërimi i vetëm një gruaje, që është vetëm 10 për qind e pozitave udhëheqëse, është në kundërshtim me Ligjin për Barazi Gjinore.
Ky ligj kërkon që gjysma pozitave udhëheqëse duhet t’u takojnë grave, pra të ketë barazi. Madje ky ligj shkon përtej kuotës së përfaqësimit të grave në Kuvendin e Kosovës dhe në Kuvendet Komunale prej 30%./Kallxo.com/