19:56 / E Shtunë, 31 Mars 2018 / indeksADMonline

Ankesa për parregullsi: Kryetari i Klinës ende pa i mbushur 3 muaj, vajza e tij punësohet në QKMF

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Kline është duke u përballuar me disa kritika për parregullsi në mënyrën e zgjedhjes së kandidatit për Mjekësisë të Përgjithshme në këtë qendër.

Bëhet fjalë për pozitën e mjekut të përgjithshëm, për të cilën ishin gjashtë kandidat në garë. Por si për kojçidencë e përzgjedhura të ishte Marigona Elezaj, vetë vajza e Kryetarit të Klinës, Zenun Elezaj.

Ankesat për këtë konkurs në redaksinë tonë kanë ardhur nga vetë Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Kline dhe vetë kandidatët që kishin konkurruar për këtë pozitë.

Në mënyrë anonime ata kanë pretenduar se në procesin e përzgjedhjes ka ndodhur parregullsi, pasi kryetari i ri i Klinës ka përdorur ndikimin që vajza e tij të vije në pozitën e mjekës së përgjithshme.

“Kryetari i Komunës së Klines Zenun Elezaj nga AAK ende pa i bërë 3 muaj në detyrë, ka punësuar vajzën e tij Marigona Elezaj në shtëpinë e shëndetit. Në këtë konkurs kanë aplikuar 6 aplikantë. Ishte mjeku Albert Dodaj i cili ka qenë i punësuar si mjek i përgjithshëm, por pasi që ai shkoi në specializim në Gjermani ende pa e pritur që të kthehet ja kanë shpallur të lirë vendin e punës duke u pranuar Marigona Elezaj vetë vajza e Kryetarit të Klinës”, ka thënë një burim për Indeksonline.

Ndërkaq Kryetari Zenun Elezaj, në një prononcim për Indeksonline është shprehur se në këtë konkurs gjithçka ka shkuar në rregull sipas procedurave të përzgjedhjes.

“Po është e vërtetë vajza ime është punësuar. Beso që unë vetë kam shikuar që të mos i bëhet ndonjë padrejtësi gjatë procesit të përzgjedhjes. Ka qene e vetmja mjeke e komunës së Klinës që ka qene në pritje. Paneli përzgjedhës ka qenë komplet i Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare. Nuk ka pasuar asnjë ankesë, zërat për parregullsi mund të jenë nga rival politik por e padrejtë nuk iu është bërë asnjë kandidati që ka qenë për këtë pozitë. Ka qenë një proces transparent”, ka thënë Elezaj.

Përveç ankesave të palëve në këtë konkurs, në aspektin procedural dhe dokumentacionit nuk është vërejtur ndonjë parregullsi.

Marigona Elezaj, figuron në listën si mjeke e përgjithshme në Fakultetin e Mjekësisë.