13:16 / E Diele, 02 Prill 2023 / LB

Presidenca: Rakiq përkrahë Petkoviqit kërcënon me “rezistencë dhe kryengritje” në Kosovë

Ditëve të fundit në veri të Mitrovicës, u është vënë zjarri disa veturave me targa RKS, si dhe ka pasur sulme ndaj zyrtarëve policorë.

Lidhur me këto raste, policia ka arrestuar M.B i cili dyshohet edhe për sulmin me armë ndaj Policisë së Kosovës ku mbetën të plagosur dy policë.

Si rezultat i këtyre zhvillimeve, zyrtarët e lartë shtetëror të Serbisë dhe udhëheqësit e Listës Serbe kanë paralajmëruar “rezistencë” nëse nuk lirohet M.B.

Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar Blerim Vela, shefi i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani.

Ai përmes një postimi në Twitter, ka shkruar se Rakiq po kërcënon me rezistencë dhe kryengritje.

“Kreu i Listës Serbe, Rakiq përkrahë Petkoviqit kërcënon me “rezistencë dhe kryengritje” në Kosovë. Megjithatë, asnjë fjalë dënimi nga Petkoviq për djegien e veturave të serbëve vendas! Serbia dhe Lista Serbe kërcënojnë me dhunë. Ata do të jenë përgjegjës për çdo përshkallëzim në terren”, ka shkruar Vela.