17:09 / E Mërkurë, 21 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Presidenti i FFK-së falënderon institucionet shtetërore për përkrahjen financiare të Kombëtares

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi ka falënderuar institucionet shtetërore për ndihmën financiare që i është bërë Kombëtares.

Qeveria gjatë ditës së sotme ka vendosur që t’i ndaj 500.000 euro ndihmë për Federatën e Futbollit të Kosovës.

Ky është shkrimi i presidentit të FFK-së:

Suksesi i arritur mbrëmjen e kaluar nga djelmoshat tanë ka bërë jehonë të madhe jo vetëm në Kosovë, por gjithandej në botë. Ngritja e jashtëzakonshme e Kombëtares sonë dhe promovimi në Ligën C për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve, si dhe kualifikimi në “play-off” të Ligës D, nëpërmjet të cilës mund të sigurohet kualifikimi në Kampionatin Evropian 2020, ka bërë që sot të flitet kudo për futbollin e Kosovës. Sot, Qeveria e Kosovës, me propozim të ministrit Kujtim Gashi miratoi vendimin që Kombëtarja e Kosovës të shpërblehet me 500 mijë euro. Prandaj, si president i FFK-së dua të falënderoj publikisht ministrin, Kujtim Gashi për propozimin e dhënë, kryeministrin Ramush Haradinaj për mbështetjen e këtij vendimi dhe të gjithë kabinetin qeveritar, si dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli, i cili qysh në fillim të kësaj gare kishte dhënë premtimin për mbështetje financiare në rast të suksesit të Kombëtares sonë. Kjo dëshmon që për dallim nga vendet tjera, qeveria dhe institucionet tona janë fuqishëm përkrah sportit, në këtë rast futbollit dhe na japin shtysë për suksese të reja. Faleminderit kryeministër, faleminderit kabinet qeveritar, faleminderit kryeparlamentar.

Jam i bindur se kësisoj të bashkuar do të korrim edhe shumë suksese tjera.

Na priftë e mbara!

Me respekt

Agim Ademi, president i FFK-së