23:24 / E Diele, 16 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Presidenti i klubit italian sulmohet nga tifozët

Kemi parë në futbollin shqiptar shpesh episode dhune, kryesisht në kategoritë e ulëta. Presidentë që mbajnë pistoleta, kryebashkiakë që futen me makinë brenda fushës, apo edhe lojtarë që godasin arbitrin apo virojtësit. Por, episodi në fjalë që ka ndodhur në Itali, Kazerta, sigurisht që është për të vënë duart në kokë.

Në përfundim të ndeshjes Casertana-Reggina 0-1, disa tifozë vendas, të indinjuar dhe revoltuar me humbjen dhe situatën aspak të mirë (Casertana, që ishte favorite për t’u ngjitur në Serie B, ndodhet në mesin e tabelës së grupit të saj në Serie C) kanë reaguar me dhunë ndaj presidentit Giuseppe D’Agostino.

Dy gurë të hedhur nga tribuna kanë goditur në shpatulla dhëndrin e presidentit (pra, bashkëshortin e vajzës së tij), që ka shkuar në spital për shkak të plagëve. Ndërkaq, aty ndodheshin edhe dy nipërit e presidentit, që gjithashtu ishin pranë tij në atë moment.