21:19 / E Mërkurë, 04 Mars 2020 / indeksADMonline

Presidenti i KOK-ut dhe zëvendësdrejtori i ATK-së sqaruan Ligjin për Sponsorizime në Ferizaj

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani dhe zëvendësdrejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Nait Sharku, kanë takuar sot bizneset, klubet sportive dhe shoqatat kulturore të Ferizajt, të cilave u kanë sqaruar Ligjin për Sponsorizime.

E pranishme në takimin e mbajtur në sallën e Kuvendit Komunal të Ferizajt, ishte edhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në këtë komunë, Xhemile Murati-Shabani, e cila vlerësoi lartë praninë e presidentit Hasani dhe zëvendësdrejtorit Sharku, duke thënë se një takim i tillë do t’i kontribuojë zhvillimit të sportit në Ferizaj.

Presidenti Hasani duke inkurajuar klubet për të shfrytëzuar sa më parë këtë Ligj, tha se deri më tani rreth 100 kontrata janë bërë mes biznesit dhe komunitetit të sportit.

Zëvendësdrejtori Sharku theksoi se ATK është e gatshme të japë sqarime si për komunitetin e sportit, ashtu edhe për biznesin, duke shtuar se institucioni që drejton është duke respektuar Ligjin, i cili investimit të biznesit në sport i mundëson lehtësira në masën 30 për qind nga tatimi në fitim, kurse 20 për qind për kulturën.

Pjesëmarrësit e shumtë përmes pyetjeve të ndryshme morën përgjigjet e nevojshme nga i pari i Lëvizjes Olimpike në Kosovës, Besim Hasani dhe i dyti i ATK-së, Nait Sharku.