18:49 / E Enjte, 21 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Presidenti i Prishtinës: Me 7-8 milion euro mund kishim stadium me 20 mijë ulëse, fukaraja i mbanë dy shtëpi

Vitin e kaluar u inaugurua stadiumi i renovuar “Fadil Vokrri” pas investimit rreth 9 milionë euro nga Ministria e Sportit, Komuna e Prishtinës dhe Federata e Futbollti të Kosovës.

Vetëm 15 muaj më vonë, po diskutohet për rritjen e kapacitetit të stadiumit që aktualisht është 13 mijë ulëse.

Ky projekt nëse realizohet mund të thith edhe disa milionë euro tjerë.

Presidenti i Prishtinës, Remzi Ejupi ka deklaruar për Indeksonline që së bashku me nënkryetarin e Federatës së Futbollit të Gjermanisë, Helmut Hack, disa vite më parë kanë pasur gati projektin për të rritur kapacitetin e “Fadil Vokrrit” me një kosto të ultë.

“Në vitin 2017, pikërisht në ambientet e stadiumit kemi shpalosur projektin së bashku me Helmut Hack për të renovuar stadiumin. Aty kanë qenë prezent përfaqësues të Ministrisë së Sportit, Komunës e FFK-së. Ideja jonë ka qenë që të rrëzoheshin tribuna lindore, veriore dhe jugore dhe të ndërtoheshin të reja për të rritur kapacitetin e ulëseve deri në 20 mijë. Kostoja e këtij projekti do të ishte 7-8 milionë euro. Por atëherë nuk ishte vendosur për këtë projekt” deklaroi Ejupi për Indeksonline.

I pari i Prishtinës komentoi edhe idenë për ndërtimin e stadiumit kombëtar si dhe lokacionin ku është më të përshtatshëm.

“Mendoj që stadiumi kombëtar është luks. Ne kemi nevojë për ndërtimin e fushave të reja në Prishtinë dhe rrethinë. E di që kemi nevojë për një stadium por ne nuk jemi aq të pasur për të ndërtuar një stadium të tillë. Kjo duhet të bëhet me fonde të FIFA-së, natyrisht me pjesëmarrje të vogël edhe nga shteti. Ne jemi ende me stadiume nga koha e Titos, por fukaraja i mbanë dy shtëpi. Sa i përket vendit se ku duhet të ndërtohet mendoj se është mirë që të organizohet debat i hapur” theksoi Ejupi.